Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në ceremoninë e inaugurimit të Kompleksit Memorial ”Dr. Ibrahim Rugova”, tha se Istogut sot po i kthehet simbolikisht në bronz djali i zgjedhur, të cilin ky qytet ia dha kombit, për ta shndërruar në prijës dhe burrështetas të parë të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Hoti nënvizoi se me urtësinë dhe largpamësinë e tij, Presidenti Rugova e trasoi të ardhmen e Republikës së Kosovës, trnasmeton arbresh.info.
”Kërkesa e kahmotshme e shqiptarëve të Kosovës për mëvetësi u legalizua pikërisht nga LDK-ja dhe kryetari i saj i parë, dr. Ibrahim Rugova. Lidhja me botën perëndimore, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera të NATO-s rezultoi vendimtare për shpëtimin e popullit të Kosovës nga gjenocidi serb më 1998 dhe 1999”, theksoi Kryeministri Hoti.
Kryeministri Hoti u zotua se në pajtim të plotë me idetë e Presidentit Rugova, me frymën që e la trashëgim, do të vazhdojë ta kultivojë dhe ta forcojë bashkëpunimin me miqtë, sepse, siç thoshte shpesh Presidenti Rugova, “shtëpia pa miq nuk mbahet”.
Fjala e Kryeministrit Hoti në ceremoninë e zbulimit të Shtatores së Presidentit Rugova:
I nderuar nënkryetar i LDK-së Lutfi Haziri,
I nderuar kryetar i Degës së LDK-së në Istog, z. Haki Rugova,
Të dashur familjarë e bashkëvendës të Presidentit Rugova,
Zonja dhe zotërinj,
Ndihem vërtet i privilegjuar që ndodhem sot këtu, në mesin e njerëzve më të dashur dhe më të afërt të Presidentit historik të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në Istogun e bukur të LDK-së e të Kosovës.
Zbulimi i shtatores së Presidentit Rugova, në ditën e lindjes së tij, pikërisht sot e këtu, është shenjë e kujdesit dhe e nderimit të përhershëm të qytetarëve dhe të institucioneve të vendit për prijësin e tyre, për themeluesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ideatorin e Republikës së pavarur, të lirë dhe demokratike të Kosovës – dr. Ibrahim Rugova.
Istogut sot po i kthehet simbolikisht në bronz djali i zgjedhur, të cilin ky qytet ia dha kombit, për ta shndërruar në prijës dhe burrështetas të parë të Republikës së Kosovës. Kështu, që nga sot, ky qytet fatlum do të ketë edhe një shenjë më shumë në identitetin e vet të pasur, një shenjë që e nderon Istogun dhe mbarë Kosovën, shtatoren e njeriut që i priu një epoke për t’u bërë vetë shënjues i saj.
Ibrahim Rugova, djalosh i rritur pa babanë e rrëmbyer nga komunistët, njohu kodet e forta të lidhjes me nënën dhe me farefisin, njohu kodin e lidhjes së gjakut e të nderit të trungut familjar, që më pastaj i shërbeu si themel i fortë për njohjen e kodit të etnisë.
Rugova i urtë, njohu tejpërtej trashëgiminë gjuhësore, letrare e kulturore shqiptare, i studioi ato me zell e me dashuri, duke depërtuar thellë në vetëdijen dhe në psikologjinë e etnisë. Dija e vetëdija për historinë dhe trashëgiminë kulturore e shpirtërore të etnisë, i ndihmuan studiuesit Ibrahim Rugova që nga bota e letrave të kapërcente lehtësisht në botën e politikës, në të cilën, po ashtu, ai mbeti i veçantë, i dashur dhe i papërsëritshëm.
Të dashur bashkëvendës të Presidentit Rugova,
Zonja e zotërinj,
Me urtësinë dhe largpamësinë e tij, Presidenti Rugova e trasoi të ardhmen e Republikës së Kosovës. Bota e njohu dhe e pranoi Kosovën dhe aspiratat e popullit të saj për liri, pavarësi e demokraci nëpërmjet Presidentit Rugova, i cili me dije dhe me takt diplomatik arriti ta ndërkombëtarizonte çështjen e Kosovës në qendrat kryesore të diplomacisë botërore.
Në frymën e Bogdanit dhe të pasardhësve të tij, Rugova e orientoi politikën tonë drejt botës së qytetëruar europerëndimore, së cilës ne i përkasim edhe gjeografikisht, por edhe kulturalisht e shpirtërisht.
Rugova e mori në dorë fatin e popullit të Kosovës në një periudhë shumë të rëndë, kur ish-federata jugosllave po shpërbëhej rrëmujshëm, nëpërmjet tragjedive dhe mizorive të papara, ndërsa për Kosovën pothuajse nuk dinte askush.
Duke u vënë në krye të LDK-së dhe të lëvizjes së madhe për liri e pavarësi, ai u shndërrua shpejt në prijës gjithëpopullor, në simbol të një epoke nga e cila lindi dhe u formësua Republika e pavarur e Kosovës.
Kërkesa e kahmotshme e shqiptarëve të Kosovës për mëvetësi u legalizua pikërisht nga LDK-ja dhe kryetari i saj i parë, dr. Ibrahim Rugova. Lidhja me botën perëndimore, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera të NATO-s rezultoi vendimtare për shpëtimin e popullit të Kosovës nga gjenocidi serb më 1998 dhe 1999.
Edhe pas mbarimit të luftës, këto vende mike e ndihmuan fuqishëm Kosovën në udhën e shtetndërtimit dhe të afirmimit të saj kudo në botë. Ato po na ndihmojnë edhe sot, jo vetëm në luftimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid 19, por në të gjitha fushat e tjera.
Në pajtim të plotë me idetë e tij, me frymën që ai na la trashëgim, ne do të vazhdojmë ta kultivojmë dhe ta forcojmë bashkëpunimin me miqtë, sepse, siç thoshte shpesh Presidenti Rugova, “shtëpia pa miq nuk mbahet”! Dhe, në këtë rrugë, në këtë mision të shenjtë, nuk do të ndalemi asnjëherë, derisa Republika e Kosovës të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, si dhe e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, ashtu siç proklamonte këtu e tri dekada më parë Presidenti Rugova, prijësi ynë i dashur, nga i cili, po ashtu, kemi një amanet kuptimplotë – miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E gëzofshi shtatoren e Presidentit Rugova!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj!
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...
McKee: Nuk pres që ShBA-ja të ndryshojë qasje ndaj Kosovës
Hamza: Buxheti i shtetit duhet të rritet si rezultat i rritj...
Superliga rikthehet sot me dy superduele