Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në vlerësimin e parë të raportit të post monitorimit, të sapo publikuar i ka bërë thirrje qeverisë që të tregohet më e kujdesshme me menaxhimin e financave, në mënyrë që të ketë rezerva të përshtatshme, nëse ekonomia do të përkeqësohet si rrjedhojë e pandemisë.
“Ka pasiguri të konsiderueshme dhe rreziqe të shtuara që mund të ndikojnë në rimëkëmbjen e parashikuar për 2021-22. Në këtë kontekst, Drejtorët theksuan rëndësinë e planifikimit të fondeve rezervë për ngjarje të paparashikuara dhe rekomanduan që autoritetet të jenë të gatshme të marrin masa të mëtejshme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar”, thuhet në njoftim.
Fondi ka kërkuar gjithashtu një kontroll të masave të emergjencës dhe fondeve të rindërtimit sipas procedurave të menaxhimit të financave publike.
“Drejtorët e Bordit Ekzekutiv u kërkuan autoriteteve të përfshijnë sa më shpejt në procedurat e kontrollit normal të menaxhimit të fondeve publike (PFM) masat e jashtëzakonshme që janë marrë gjatë emergjencës. Po ashtu fondi kërkoi që një kontroll i përshtatshëm i FPM të ushtrohet dhe për fondet e rindërtimit”, thuhet në njoftim.
Fondi paralajmëroi se situata ekonomike mund të përkeqësohet, teksa infeksionet e reja janë rritur ndjeshëm.
“Një pandemi më e rëndë do të përkeqësonte parashikimin ekonomik të Shqipërisë përmes një turizmi më të dobët, remitancave, kërkesës së jashtme, investimeve të Huaja Direkte si dhe do të sillte kushte më të shtrënguara financimi”.
Borxhi i lartë, kërkesat e larta për financime dhe kreditë me probleme gjithashtu përbëjnë një sfidë. Fondi ka ripërsëritur këshillën e tij për të mos zbatuar amnistinë fiskale dhe ka rekomanduar shmangien e ndryshimeve të shpeshta fiskale.
Zbatimi i procedurave të menaxhimit fiskal për projektet e partneritetit publik privat dhe dhënien e garancive është një tjetër kërkesë e përsëritur.
“Drejtorët gjithashtu theksuan nevojën për të forcuar FPM dhe për të menaxhuar rreziqet fiskale në rritje, duke përfshirë partneritetet publike-private dhe garancitë e fundit të qeverisë. Ata nënvizuan nevojën për të parandaluar borxhet e reja dhe përpjekjet e vazhdueshme për të forcuar kornizën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.”
Në njoftimin e fondit thuhet:
“Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar përmbylli rishikimin e parë të monitorimit të Post-Programit me Shqipërinë në 23 nëntor. Shqipëria ka përfituar nga ndihma financiare e emergjencës (rreth 190.5 milionë USD) që u disbursuan nën Instrumentin e Financimit të Shpejtë në prill 2020 që i mundësoi Shqipërisë që të përmbushte në kohë nevojat e saj të pagesave që vinin pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë së COVID-19. Mundësia e Shqipërisë për të ripaguar Fondin është në nivele të përshtatshme por risqet janë rritur në lidhje me goditjet e mundshme.
Shqipëria vijon të jetë e prekur rëndë nga pasojat e tërmetit dhe të pandemisë. Autoritetet iu përgjigjën menjëherë këtyre goditjeve dhe stabiliteti financiar e ai makroekonomik deri më tani kanë qenë në ekuilibër. Ekonomia pritet të tkurret me 7.5 për qind në 2020 dhe të rigjallërohet gradualisht në 2021 dhe 2022 teksa goditjet minimizohen dhe shpenzimet e rindërtimit të rriten. Inflacioni pritet që të mbetet i ulët përpara se të shkojë drejt objektivit prej 3 për qind në terma afatmesëm. Deficiti i llogarisë korrente parashikohet që të zgjerohet me 10 për qind të GDP=së në 2020 por rezervat ndërkombëtare me shumë gjasa do të rriten lehtë duke qëndruar në një nivel të përshtatshëm.
Parashikimi ndikohet nga pasiguria e madhe me risqe në kahun e poshtëm risqet e poshtë po rriten ndërkohë që edhe infektimet e reja po rriten në mënyrë të konsiderueshme në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera europiane gjatë vjeshtës. Një pandemi më e rëndë do të përkeqësonte parashikimin ekonomik të Shqipërisë përmes një turizmi më të dobët, remitancave, kërkesës së jashtme, investimeve të Huaja Direkte si dhe do të sillte kushte më të shtrënguara financimi. Presionet e mëdha të zhvlerësimit mund të sjellin rreziqe në bilance duke pasur parasysh mungesën e mbrojtjes për huajte në monedhë të huaj megjithëse mbulimi konsiderueshëm i rezervës do të ishte një faktor zbutës. Borxhi i rritur publik i Shqipërisë, nevojat e mëdha, rreziqet fiskale në rritje dhe një nivel relativisht i lartë i kredive me probleme (NPL) paraqesin gjithashtu sfida.
“Drejtorët Ekzekutiv përgëzuan autoritetet shqiptare për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar deri më tani, dhe vlerësuan reagimet e tyre për të ruajtur shëndetin e njerëzve në përgjigje të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë COVID-19. Kapaciteti i Shqipërisë për të riparuar Fondin është i mjaftueshëm, duke pasur rezerva të konsiderueshme dhe kurs fleksibël të këmbimit, që shërbejnë si amortizues të rëndësishëm. Sidoqoftë, rreziqet janë shtuar, si rrjedhojë e pandemisë, rritjes së deficitit fiskal dhe borxhit publik, dobësive në menaxhimin e financave publike, një nivel relativisht i lartë i huave me probleme (NPL) dhe euroizimi. Për më tepër, ka pasiguri të konsiderueshme dhe rreziqe të shtuara që mund të ndikojnë në rimëkëmbjen e parashikuar për 2021-22. Në këtë kontekst, Drejtorët theksuan rëndësinë e planifikimit të fondeve rezervë për ngjarje të paparashikuara dhe rekomanduan që autoritetet të jenë të gatshme të marrin masa të mëtejshme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar.
Drejtorët theksuan se mbështetja për ekonominë duhet të vazhdojë në 2021, por duhet të jetë e përkohshme dhe e synuar, subjekt i transparencës dhe llogaridhënies. Ata u kërkuan autoriteteve të përfshijnë sa më shpejt në procedurat e kontrollit normal të menaxhimit të fondeve publike (PFM) masat e jashtëzakonshme që janë marrë gjatë emergjencës. Po ashtu fondi kërkoi që një kontroll i përshtatshëm i FPM të ushtrohet dhe për fondet e rindërtimit.
Drejtorët rekomanduan që rritja ciklike e të ardhurave të përdoret për të arritur një reduktim më të madh të deficitit në 2021 sesa është parashikuar në buxhet, në mënyrë që të ndërtohet një amortizator për kontigjencat. Drejtorët përshëndetën ndryshimin e fundit në rregullat fiskale.
Adresimi i dobësive strukturore në financat publike mund të mbështesë më mirë investimet në kapital njerëzor dhe fizik. Një strategji e shëndoshë e të ardhurave afatmesme duhet të miratohet dhe zbatohet pa vonesa të mëtejshme. Duhet të shmangen ndryshimet e shpeshta, ad hoc të politikave tatimore dhe skemat e amnistisë tatimore. Drejtorët gjithashtu theksuan nevojën për të forcuar FPM dhe për të menaxhuar rreziqet fiskale në rritje, duke përfshirë partneritetet publik-privat dhe garancitë e fundit të qeverisë. Ata nënvizuan nevojën për të parandaluar borxhet e reja dhe përpjekjet e vazhdueshme për të forcuar kornizën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Drejtorët nënvizuan nevojën për të ruajtur stabilitetin financiar ndërsa mbështesnin huamarrësit e goditur nga kriza. Ata rekomanduan që mbikëqyrësit të monitorojnë nga afër dhe të menaxhojnë me kujdes rreziqet, përfshirë udhëzimet për ristrukturimin e portofoleve të kredisë së bankave. Drejtorët mbështetën mbajtjen e kufizimeve në shpërndarjen e dividentit për të mbrojtur pozicionet e kapitalit të bankave. Ata inkurajuan autoritetet për të përmirësuar më tej kornizën e zgjidhjes së NPL dhe për të harmonizuar kornizën rregullatore me standardet ndërkombëtare”./MONITOR
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...