Google ADS

Gjenevë, filloi raundi i ri i bisedimeve për paqe në Siri

16:42 | 30 Nëntor 2020
Arbresh.info

Delegatët nga opozita dhe nga regjimi u paraqitën në “Palais des Nations” në Gjenevë duke mos dhënë deklarata, pasi OKB kufizoi qasjen e gazetarëve për shkak të pandemisë.

Raundi i ri i bisedimeve që synojnë sigurimin e paqes në Siri filloi sot në Gjenevë me kufizime të mëdha të vendosura nga Kombet e Bashkuara (OKB) për qasjen tek delegatët për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Delegatët nga opozita dhe nga regjimi u paraqitën në “Palais des Nations” në Gjenevë duke mos dhënë deklarata, pasi OKB kufizoi qasjen e gazetarëve për shkak të pandemisë.

“Grupi i vogël i Komitetit Kushtetues Sirian tani po mblidhet”, tha për AA Jennifer Fenton, zëdhënëse e Zyrës së të Dërguarit Special të OKB-së për Sirinë.

Ajo tha se takimi po zhvillohej me zbatimin e masave kundër COVID-19 për 45 personat që zakonisht përbëjnë “grupin e vogël” të komitetit.

Në gusht, bisedime të ngjashme u ndërprenë përkohësisht pasi disa delegatë rezultuan pozitivë në COVID-19.

Shumë pjesë të Zvicrës janë nën bllokim për shkak të numrit të madh të rasteve me COVID-19.

“Mungesë e thellë e besimit”

I Dërguari Special i OKB-së, Geir Pedersen, dje tha se raundi i katërt i bisedimeve ndër-siriane mund të paraqesë një mundësi për t’u “përqendruar më shumë” në sigurimin e një zgjidhjeje paqësore politike pas gati një dekadë luftimesh.

“Jam i kënaqur që mund të them se pas diskutimeve intensive me autoritetet zvicerane, autoritetet shëndetësore zvicerane dhe me Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, si dhe natyrisht me bashkëpunimin e tre delegacioneve, tani do të jetë e mundur që ne të fillojmë takimin”, tha Pedersen.

Ai gjithashtu tha se dy bashkëkryesuesit sirianë ishin pajtuar që të diskutojnë mbi bazat dhe parimet kombëtare, ndërsa çështjet kushtetuese do të jenë në rendin e ditës në një takim të pestë në fillim të janarit për t’u përqendruar në parimet kushtetuese ose parimet themelore të kushtetutës.

Hadi al-Bahra është në krye të opozitës, ndërsa Ahmad Kuzbari po përfaqëson regjimin sirian.

“Pas gati 10 vitesh konflikt, ka një mungesë të thellë besimi midis palëve”, tha Pedersen.

“Ne e dinim se do të duhet ta kapërcejmë këtë mosbesim të thellë. Ne e dinim se kjo do të kërkonte kohë. Shpresoj se ajo që kemi arritur është në të vërtetë fillimi i ndërtimit të besimit midis palëve”, shtoi ai, duke rikujtuar se takimi i Komitetit Kushtetues zhvillohet pas dyerve të mbyllura.

Siria është përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011 kur regjimi i Bashar al-Assadit goditi protestat pro-demokracisë me një egërsi të papritur./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme