Qytetarët e Skenderajt e duan Bekim Jasharin në krye të komunës, Murat Jashari i duhuri për President

10:08 | 28 Nëntor 2020
Arbresh.info

Qytetarët e Komunës së Skenderajt, besojnë se personi i duhur për të ardhur në krye të shtetit të Kosovës, do të ishte dikush i cili vjen nga familja e komandantit legjendar, Adem Jashari.

Ata, duke iu përgjigjur anketimit të arbresh.info, vlerësojnë se Murat Jashari por edhe Bekim Jashari, do të ishin personat më kompetent për postin e të parit të shtetit, më shumë se kushdo tjetër.

Sipas tyre, dikush nga familja Jashari do të ishte më unifikues në këtë kohë për vendin.

Megjithatë, disa nga qytetarët duan që Bekim Jashari të mbetet në krye të komunës së Skenderajt, ndërsa Murat Jasharin e shohin në zyrën e presidencës, raporton arbresh.info.

“Po, ne do ishim pajtuar që dikush nga familja Jashari të marrë postin e Presidentit. Murat Jashari mendoj që është personi i duhur”, është shprehur Agim Gashi.

Qytetari Istref Gashi, thotë se nuk ka lidhje se cili nga ta do të merrte postin e presidentit, Murati apo Bekimi. Sipas tij, e rëndësishme do të ishte vetëm që personi që do të vije në krye të shtetit, të ishte nga familja Jashari.

“Familja Jashari e meriton më kanë dikush prej tyre President. Edhe Murati edhe Bekimi të dytë janë të mirë për këtë post”, ka thënë ai.

Bekim Jashari është i duhuri për president sipas qytetarit Xhafer Haziri.

“ Ish kanë mirë me ardh dikush i familjes Jashari në krye të presidencës. Sipas meje Bekimi është më mirë me kanë President”.

Edhe qytetarja Azize Aziri,  thotë se Bekim Jasharin e sheh më shumë në krye të presidencës.

“Me gjithë qejf kisha pas mu bë president Bekimi”, shprehet shkurt ajo.

Por, ndryshe mendon qytetari Haki Kadriu.  Ai, thotë se do ishte mirë që kryetari aktual i kësaj komune të mbetet aty ku është, ndërsa Murat Jashari të marr postin e të parit të shtetit.

 

“Mendojmë dhe do të ishte mirë që dikush nga familja Jashari të jetë në Presidencë e mendojmë që do e kishte sjell situatën ma mirë se politikanët e tjerë. Bekimin do ta ruajmë për Skenderaj e Muratin për Republikë”, thotë ai për arbresh.info.

“ Ja vlen që të ketë një të familjes Jashari në krye të presidencës. Mendoj që do të bënte më shumë se politikanët e tjerë. Bekimin e kemi në Skenderaj e Murati do të ishte mirë në Presidencë”, thotë Driton Bajrami.

Njëjtë mendon edhe Hajzer Seferi.

“ Mendoj qe do të ishte e duhur që dikush nga familja Jashari të jetë në president, Bekimin e duam në Skenderaj, e Murati do të ishte mirë të ishte në Presidencë”.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi më 5 nëntor të këtij viti dha dorëheqje.

Largimi i tij nga ky post, erdhi pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Aktakuza pretendon se Thaçi dhe  kreu i PDK-së, Kadri Veseli dyshohen se janë përgjegjës për vrasjen e 100 personave.

Menjëherë pas dorëheqjes së Thaçit, postin e ushtrueses së detyrës së presidentes së vendit e mori Vjosa Osmani, që është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës. /Vlora Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme