Gjykata e Apelit merr vendim për kërkesën e Trumpit rreth rezultatit në Pensilvani

07:40 | 28 Nëntor 2020
Arbresh.info

Një Gjykatë federale e Apelit ka refuzuar kërkesën e fushatës së presidentit Donald Trump, që kërkonte që presidenti i zgjedhur, Joe Biden të mos shpallej fitues në shtetin e Pensilvanisë.

Ky vendim i kësaj gjykate është goditja e radhës që i bëhet përpjekjeve të Trumpit, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.Fushata e Trumpit kishte bërë këtë kërkesë në gjykatë më herët gjatë këtij muaji, duke thënë se zyrtarët zgjedhorë në Pensilvani kishin trajtuar votimet me postë në mënyrë jo të duhur, andaj u kërkua nga gjykata që të ndërpriste certifikimin e rezultateve.

Por, më 27 nëntor, gjyqtari Spehanos Bibas tha se “këto pretendime kërkojnë edhe dëshmi. Ne nuk i kemi parë ato”.

Bibas, i cili ishte nominuar nga Trumpi për gjyqtar, në vendim shtoi se “zgjedhjet e lira dhe fer janë gjaku i demokracisë sonë. Akuzat për padrejtësi në zgjedhje janë serioze. Por, t’i quash zgjedhjet e padrejta, nuk i bën ato të tilla”.

Lidhur me këtë rast, ekipi i Trumpit mund ta apelojë vendimin duke e dërguar në Gjykatën Supreme.

Më herët gjatë kësaj jave, Pensilvania e certifikoi Bidenin si fitues, pasi fitoi më së shumti vota popullore. Sipas ligjit në këtë shtet, kandidati presidencial që fiton më së shumti vota popullore fiton po ashtu edhe 20 votat elektorale të Pensilvanisë.

Presidenti Trump ka refuzuar që ta pranojë humbjen dhe vazhdon të bëjë pretendime, të pabazuara, për mashtrime në zgjedhje.

Megjithatë, Trump tha më 26 nëntor se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Elektoral voton për Bidenin.

Më 23 nëntor, ka nisur edhe zyrtarisht procesi i trazicionit të Bidenit për në Shtëpinë e Bardhë.

Që të gjitha 50 shtetet e SHBA-së duhet të certifikojnë rezultatet përpara se Kolegji Zgjedhor të takohet më 14 dhjetor dhe të gjitha proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me votimet, duhet të përmbyllen deri më 8 dhjetor. Biden ka fituar më shumë vota elektorale dhe vota popullore kundrejt Trumpit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme