Në prag të Festës së 28 Nëntorit, nënshkruhet Kongresi i parë Kombëtar i Autoriteteve Lokale Kosovë – Shqipëri

20:08 | 27 Nëntor 2020
Arbresh.info

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës Kosovës, Besnik Tahiri, sot është takuar në Tiranë me Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Sandër Lleshaj, ku në prag të Festës së 28 Nëntorit, formalizuan përmes një nënshkrimi nisjen e Kongresit të parë të përbashkët në nivel të kryetarëve të Komunave/Bashkive.

Kjo platformë do të identifikojë fushat e përbashkëta dhe intensifikojë komunikimin në mes Komunave në Republikën e Kosovës dhe Bashkive në Republikën e Shqipërisë.

Zëvendëskryeministri Tahiri është shprehur i lumtur që po jetësohet për herë të parë Kongresi Kombëtar i Autoriteteve Lokale Kosovë-Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e kësaj iniciative, e cila sipas tij, duhet të shërbejë si model i bashkëpunimit rajonal, e në veçanti si platformë e komunikimit të rregullt dhe formal në mes qyteteve panshqiptare.

“Ky lloj bashkëpunimi, përveç aspektit institucional, ka për synim që të zgjerohet në nivel turistik, social dhe ekonomik, duke krijuar mundësi të bashkëpunimit në një rrafsh më praktik, por edhe vendeve të tjera të rajonit në kuadër të objektivit të përbashkët, integrimit evropian”, ka thënë Tahiri./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme