Google ADS

Të akuzuarit në rastin “Syri i Popullit” deklarohen të pafajshëm

15:01 | 26 Nëntor 2020
Arbresh.info

Sadri Ramabaja dhe Avni Llumnica deklarohen të pafajshëm për ndihmë dhe tentim vrasje të Azem Vllasit, në rastin e njohur si “Syri i Popullit”.

Pasi Gjykata e Apelit e Kosovës ktheu në pikën zero rastin “Syri i Popullit” me kërkesën që Prokuroria Speciale të rregullojë aktin akuzues, kjo e fundit ka ardh me një aktakuzë të re, të përmirësuar.

Sipas aktakuzës së re të akuzuar janë vetëm Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me Murat Jasharin i cili nuk është pjesë e aktakuzës, pasi që për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, gjykata ka ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.Ndërsa Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë.

PSRK ka lënë në aktin akuzues Bajrush Konjushën të cilën e ngarkon me veprën penale të armëmbajtjes,.Por në aktakuzën e re nuk ka të akuzuar për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale, pjesë e kësaj aktakuze nuk janë as Ragip Sallova, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Rexhep Topllana dhe Lirije Luzha.Gjatë seancës fillestare të mbajtur të enjten, pas leximit të aktit akuzues i akuzuarit Llumnica dhe Ramabaja u deklaruan të pafajshëm për veprat penale me të cilat i ngarkon prokuroria.

Llumnica deklaroi se nuk e ndjen vetën fajtorë dhe se është i pafajshëm.

“Të gjithë ju që jeni të pranishëm në sallë, mund të jeni fajtor, por Avni Llumnica, jo” shtoi ai.I pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari Ramabaja, i cili tha se aktakuza është e pabazuar.“Prokurori brenda pesë rrjeshtave, i ka thënë pesë të pavërteta të cilat demantohen me vet provat e prokurorisë. Prokuror jam plotësisht i bindur se ta ka shkru dikush këtë aktakuzë” tha ai.

Ai tha se i kërkon falje prokurorit për shprehjet duke shtuar se “Ky proces ka qenë tmerrësisht i dirigjuar prej një ekipi shtetëror dhe nuk është mirë ky me u mar me falsifikime të një ekipi tjetër” tha ai.Ndërkaq fajësinë për armëmbajtje e pranoi i akuzuari Bajrush Konjusha, i cili tha se e pranon fajësinë.

Bajrusha fillimisht deklaroi se nuk e pranon fajësinë, pasi që nuk e kishte ditur që për armën do të duhej të kishte leje.Pas sqarimit lidhur me pranimin e fajësisë dhënë nga gjykatësi Musa Konxheli dhe pas këshillimit me avokatin e tij Blerim Qela, i akuzuari deklaroi se e pranon.Ky pranim i fajësisë u aprovua nga gjykatësi Konxheli, i cili njoftoi palët se procedura do të veçohet.Gjykatësi i njoftoi palët se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Lidhur me masën e paraburgimit për të akuzuarin Avni Llumnica, mbrojtësi i tij avokati Naim Rudari kërkoi ndërprerjen e masës së paraburgimit.“Unë pres prej prokurorit me ardh me fol me mu në burg, qe ku o krimineli” tha i akuzuari Llumnica duke bërë me gisht ka i bashkakuzuari Ramabaja.

Sa i përket propozimit për heqjen e masës së paraburgimit, prokurori Burim Qerkini deklaroi se nuk e mbështet një propozim të tillë, pasi që heqja e kësaj mase do të pengonte rrjedhën e procedurës.

Ndryshe ky rast është i njohur me emrin “Syri i Popullit” kishte filluar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018. Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale.

Sipas kësaj aktakuze, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.Me këtë, Llumnica akuzohej se kishte kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohej për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, ishin pjesë e organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.Ndërsa, i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.Me këtë, ata akuzoheshin se kishin kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së./betimiperdrejtesi

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme