Qeveria “rrezikon” sigurinë nacionale, lë pa para të mjaftueshme ushtrinë, policinë e inteligjencën

08:11 | 25 Nëntor 2020
M. A.

Gjersa shtete e rajonit dita ditës po rrisin investimet në forcimin e sigurisë kombëtare, duket se kjo nuk është prioritet për Qeverinë e Kosovës.

Planifikimet e qeverisë po shihen me rrezik për sigurinë nacionale sipas ekspertëve.

Në Komisionin për Siguri thonë se gjatë shqyrtimeve në Kuvend do të kërkohet rritja e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Në projekt buxhetin për vitin 2021, i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvend, Qeveria Hoti ka “shtrënguar duart” sa i përket ndarjes së buxhetit për institucionet e sigurisë në vend, raporton arbresh.info.

Kjo gjë, sipas njohësit të sigurisë në vend, Drizan Shala, po shihet si cenim i sigurisë nacionale.

Sipas tij, institucioneve të sigurisë me këtë buxhet që e kanë po ua pamundësojnë t’i kryejnë misionet që kanë.

“Ky buxhet cenon sigurinë nacionale duke ja pamundësuar institucioneve të sigurisë që t’i kryejnë punët bazuar në misionin që kanë në bazë të ligjeve të aplikueshme të Kosovës”, tha ai për portalin arbresh.info.

Mirëpo ende ka shpresë për ndryshim. Anëtari i Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha tha se kanë kërkuar që të rritet buxheti për këto institucione në lexim të dytë.

“Kemi kërkuar në vazhdimësi me pas investime dhe me iu rrit buxheti institucioneve të sigurisë edhe si grup i komisionit kemi rënë dakord sepse është e nevojshme. Siguria është mbi të gjitha”, tha Berisha për portalin arbresh.info.

Kjo qeveri i ka zvogëluar buxhetin Policisë së Kosovës për 10 milionë euro.

Nga 96 ,500,000 euro sa kishte në vitin 2020, buxheti për vitin 2021 është paraparë të jetë 87,000,000 euro.

Kështu Policia e Kosovës do të ketë në buxhetin e saj 9,502.604 euro më pak se vitin paraprak.

Ulje të buxhetit pati edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndonëse ishte planifikuar që këtë vit buxheti i Ushtrisë të ishte mbi 65 milionë euro, në projektligjin për ndarjet buxhetore tashmë janë paraparë pak mbi 63 milionë.

Ndërkohë, këtë buxhet të paraparë për sektorin e sigurisë, njohësi i kësaj fushe Drizan Shala e krahason me vendet e rajonit.

Sipas tij, Kosova është vendi më i dobët sa i përket investimeve në sigurinë e shtetit.

“Nëse merret trendi rajonal në investime në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes Kosova është vendi më i dobët sa i përket kësaj fushe duke mos përcjell trendin rajonal të modernizmit të kapacitetet të tyre ushtarake dhe policore”, ka thënë Shala.

Shala ka përmendur buxhetin që ka ndarë Serbia për sektorin e sigurisë për vitin që po e lëmë pas.

Sipas tij, Shërbimi Sekret i Serbisë kishte 56.40 milion euro, ushtria kishte buxhet 1 miliard euro ndërsa  776.62 milion euro Policia e Serbisë.

“Pra Kosova duhet të ngrit buxhetin për ushtri 120 milion , Polici 100 milion dhe AKI minimum 30 milion euro për 2021”, thotë ai.

Rëndësinë e investimit në institucionet e sigurisë e ka theksuar edhe presidenti serb Aleksander Vuçiq i cili kërcënoi Kosovën duke thënë se Serbia po forcohet ekonomikisht e ushtarakisht.

Ai ka thënë që konflikti në Nagorno-Karabak ka treguar shembull se si është një konflikt i ngrirë dhe që kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë një katastrofë të vërtetë.

“Ishte e rëndësishme për mua t’ju them se konflikti në Karabak tregoi se si një konflikt i ngrirë mund të përshkallëzohet në një katastrof të vërtetë. Duhet marrë mësim nga viti 1990, si dhe nga ajo që po ndodhë sot. Nuk duhet t’i lëmë fëmijët tanë në një konflikt të ngrirë”, kishte deklaruar ai para gazetareve./arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme