Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen të premten në ora 10:00.
Kështu është vendosur sot në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila u mbajt në platformën virtuale.
Sipas njoftimit, në këtë seancë pritet të shqyrtohen pikat e papërfunduara të seancës së kaluar.
Po ashtu, deputetët pritet të mblidhen edhe të hënën, ku do të shqyrtohen 12 pika të rendit të ditës.
“Kryesia vendosi që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të premten, më 27 nëntor 2020, në orën 10:00, për të shqyrtuar dhe votuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara. Të hënën, ndërkaq, më 30 nëntor, do të mbahet seancë e re, në të cilën përveç pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, do të shqyrtohen edhe 12 pika të tjera”, thuhet në njoftim, raporton arbresh.info.
Në këtë seancë po ashtu pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, ndërsa pritet edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.03/L-221, me Ligjin nr.04/L-116, me Ligjin nr.04/L-194, me Ligjin 05/L-063 dhe me Ligjin 05/L-007.
“Në vazhdim, në rend dite do të jetë shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024, si dhe raportet e punës për vitin 2019 të shtatë institucioneve të pavarura: raporti vjetor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, raporti vjetor i Akademisë së Drejtësisë, raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, raporti vjetor i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2019, si dhe raporti vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit”.
Në këtë seancë është paraparë të bëhet edhe emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT, si dhe zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.
Më 13 dhjetor 2020, ndërkaq, Kuvendi do të mbajë seancë të veçantë për personat me nevoja të veçanta, sipas kërkesës së deputetit Fetah Rudi.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia vendosi që të përsëritet shpallja e konkursit publik për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare.
Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. /arbresh.info/
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...
Nesër fillon Fushata Globale “16 Ditët e Aktivizmit Ku...
Dafina Zeqiri sjell këngën e re “Tranquilo”
Vazhdon përplasja me Xuxin, rikthehet historia e prindërve t...