Google ADS

Këta janë dy emrat e kandidatëve që Komisionit për Ekonomi dhe Punësim i rekomandon Kuvendit

16:26 | 24 Nëntor 2020
L G

Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin e panelit për zgjedhjen e “Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit – ARRU”, si dhe propozimin për Kryesues dhe anëtarë të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT.

Kryetari i komisionit Endrit Shala, njoftoi anëtarët e këtij komisioni se paneli për zgjedhjen e “Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit – ARRU”, ka shqyrtuar dosjet e aplikantëve dhe ka përfunduar punën e tij në pajtim me ligjin, raporton arbresh.info.

Komisioni bazuar në raportin e panelit i rekomandon Kuvendit që të votojë njërin nga kandidatët e përzgjedhur.
Komisioni ka poentuar me më së shumti pikë kandidatët Naim Krasniqi dhe Gafurr Data.

Raporti i shqyrtuar u votua unanimisht nga anëtarët e komisionit dhe si rrjedhojë, ky raport u procedua tutje për votim në seancë plenare.

Po ashtu, komisioni shqyrtoi propozimin për Kryesues dhe anëtarë të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT, duke konstatuar se tre kandidatë i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj. Prandaj, komisioni i rekomandon Kuvendit për votim këta kandidatë: Arben Dodaj, Ajrina Gashi-Avdiu për anëtarë, si dhe Xhyldane Kiqmari kryesuese të këtij komisioni.

Raporti në fjalë mori mbështetjen e të gjithë anëtarëve të komisionit për të vazhduar tutje me votim në Kuvend.

Fare në fund, komisioni diskutoi edhe për Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2020, duke theksuar se ky raport ka dalë me disa rekomandime për institucionet e vendit. Për të diskutuar më në hollësi, komisioni vendosi që për këtë çështje të mbahet dëgjim publik në të ardhmen./arbresh.info/

Të ngjashme