Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Përdorimi i gabuar i termeve të ndryshme politike dhe juridike, që në të shumtën e herëve marrin edhe kuptimin e vetëfajësimit, është paradoks i veçantë. Ky paradoks shfaqet posaçërisht tek ata, që nuk do duhej të bënin gabime të tilla: ish- veprimtarët politikë të Lëvizjes sonë kombëtare, politikanë dhe madje dhe juristë të caktuar. Prandaj harmonizimi, mbi bazën shkencore, i terminologjisë, që përdoret prej tyre, është një domosdoshmëri kohore e pashmangshme.
Shkrimi i mëposhtëm i politologut Bardhyl Mahmuti, që për objektiv e ka përdorimin e gabuar të termit “ilegal”, do të duhej të shërbente si një rast i mirë që do të çonte pikërisht në jetësimin e këtij harmonizimi terminologjik.
Është bërë e zakonshme që në përvjetorët e ngjarjeve të vitit 1981 të theksohet roli i “organizatave patriotike ilegale”. Madje, me një nostalgji të veçantë përdoren termet “ilegalisht”, “ilegalja”, “ilegaliteti” dhe nocione tjera që rrjedhin nga fjala “ilegal”.
Përmasat që ka marrë përdorimi i këtij termi imponon hapjen e debatit që një herë e përgjithmonë të ketë një qartësi se çka mbulojnë këto terme në aspektin kuptimor.
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është polemik, për këtë arsye nuk do të citoj asnjë autor që përdor apo arsyeton përdorimin e këtij termi. Nëse e shoh të nevojshme në të ardhmen mund të përdoren edhe emrat e përveçëm.
Në fillim po përmend arsyetimin e mbështetësve të përdorimit të këtij termi me atë se “termi ‘ilegal’ është ngulitur në fjalorin e ligjërimit të zakonshëm dhe atë shkencor, studiues, e cila kuptohet si formë e veprimit të fshehtë të organizatave të Lëvizjes Kombëtare kundër regjimit jugosllav”.
Përdorimi nga një numër i madh i njerëzve i një termi për një dukuri të caktuar nuk e arsyeton përdorimin e tij, nëse ky term është i gabueshëm. Madje, edhe në rastin kur të gjithë njerëzit e një shoqërie të caktuar përdorin një arsyetim të caktuar për një çështje kjo nuk ja shton saktësinë.
Është i njohur “shembulli i baticës”. Për mijëra vite shoqëritë njerëzore që kanë jetuar përgjatë brigjeve të detit janë munduar ta shpjegojnë fenomenin e baticës.
Është interesant se shumica e popujve që na kanë lënë botëkuptimet e tyre rreth kësaj çështjeje dëshmojnë për një qasje pak a shumë të ngjashme: janë munduar të gjejnë shkakun e baticave në thellësi të detit. Për t’i forcuar bindjet e tyre, kanë imagjinuar perënditë e detit të cilët kur zemëroheshin me sjelljen e njerëzve (e zemërimin e kishin ciklik!) provokonin baticën e detit! Kishin mundur të vazhdojnë hulumtimin e tyre në det edhe për mijëra vjet të tjera dhe me tërë teknikën që posedon aktualisht njerëzimi nuk do të gjenin të vërtetën në fund të detit. Këndvështrimi ishte i gabuar! U dashtë të ndryshohet këndvështrimi dhe të shihej ndikimi i hënës në tokë për shpjeguar shkencërisht fenomenin e baticës. Mund të ketë ende njerëz që besojnë se perënditë e detit krijojnë baticën dhe nuk ngurrojnë të bëjnë sakrifica për të zbutur zemërimin e perëndive, me arsyetim se kështu kanë besuar të parët e tyre.
Prandaj, përdorimi i gjerë që ka termi “ilegal” si “formë e veprimit të fshehtë të organizatave të Lëvizjes Kombëtare kundër regjimit jugosllav” nuk ja shton saktësinë këtij termi.
Ajo që është thelbësore për problematikën e mësipërme ka të bëj me faktin se çështja e legalitetit/ilegalitetit nuk ka për kriter vlerësimi formën e veprimtarisë, por ligjshmërinë e një veprimi.
Kur kemi të bëjmë me ligjshmërinë e veprimeve që shkëputën territoret shqiptare nga Shqipëria dhe u ndanë si plaçkë shteteve fqinje, të gjithë veprimtarët për gjatë më shumë se një shekull e kanë cilësuar si të paligjshme. I njëjti qëndrim ka qenë edhe në rastin kur Jugosllavia komuniste nuk e zbatoi vullnetin e popullit të Kosovës që të bashkohet me Shqipërinë dhe shkeli vendimet e Rezolutës së Bujanit ku delegatët shqiptarë, serbë, malazezë dhe boshnjakë, pjesëmarrës të kësaj Konference, ishin përcaktuar qartë në përputhje me të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Prandaj, pushteti komunist jugosllav në territoret shqiptare ishte ilegal, edhe pse vepronte haptas. Ndërsa, të gjitha veprimet e kryera kundër këtij pushteti, qoftë haptas, qoftë fshehtas, ishin veprime të ligjshme në përputhje me të drejtën e kombeve për vetëvendosje, që ishte një nga parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe konsiderohet vlerë universale.
Nëse çështjen e “legalitetit/ilegalitetit” e shohim në raport me lëvizjet nacionalçlirimtare në botë do të bindemi për qasjen e gabueshme që është instaluar në terminologjinë që përdoret për Lëvizjen Kombëtare të shqiptarëve që kanë vepruar kundër pushtetit ilegal të Jugosllavisë në territoreve tonë.
Duke u nisur nga fakti se “legalitetit/ilegalitetit” shndërrohen në objekt të luftës në mes palës që ka pushtuar territorin e caktuar dhe atyre që angazhohen për ta çliruar nga okupatori, termi “ilegal” shndërrohet në fjalën thelbësore që i ndan dy kampet.
Përderisa të gjitha organizatat dhe lëvizjet nacionalçlirimtare anë e kënd botës okupimin e territorit të tyre dhe mosrespektimin e të drejtës për vetëvendosje e konsiderojnë “ilegal” dhe pushtetin që nuk ka respektuar vullnetin e popullit e cilësojnë si “pushtet ilegale në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, pushteti i instaluar përpiqet t’i njollosë lëvizjet dhe organizatat çlirimtare si të ishin struktura “ilegale”, për arsye se nuk respektojnë ligjet dhe rendin e vendosur nga ai.
Një nga orientimet politike të lëvizjeve apo të organizatave çlirimtare në botë është këmbëngulja e tyre që të fitojnë legalitetin në shkallën ndërkombëtare dhe ta prezantojnë pushtetin si pushtet ilegal.
Falë vendosmërisë së tyre të madhe lëvizjet nacionalçlirimtare në botë fituan legalitetin ndërkombëtare edhe përmes të drejtës ndërkombëtare. Në pikën 2 të rezolutës 1514 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të datës 14 dhjetor 1960 thuhet qartë se “të gjithë popujt kanë të drejtë që lirshëm të vetëvendosin; në përputhje me këtë të drejtë ata përcaktojnë lirshëm statusin e tyre politik dhe ndjekin në mënyrë të lirë zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor”.
Mjafton të lexohen programet, kartat, kushtetutat apo statutet e këtyre organizatave dhe lëvizjeve çlirimtare për t’u bindur se askund nuk mund të gjejmë identifikimin e tyre si “organizata ilegale” ose “lëvizje ilegale”. Përkundrazi, si “ilegal” përkufizohen veprimet e palës tjetër, ligjet e palës tjetër, prezencën politike, ushtarake dhe policore të palës tjetër.
Vetëm ne bëjmë përjashtim! Identifikojmë veten si “ilegalë” dhe organizatën (lëvizjen) tonë çlirimtare e cilësojmë si “ilegale”. Mosnjohja e përmbajtjes adekuate të këtij termi ka bërë që në disa raste përdorimin e këtij termi për veten tonë ta bëjmë me mburrje!
Ta përkufizosh veten si “ilegal” në raport me Jugosllavinë në tërësi, ose me Serbinë, me Maqedoninë apo me Malin e Zi veç e veç, është gabimi më i madh që mund të bëjmë, sepse u japim “legalitetin” pushtimit të territoreve tona dhe mosrespektimit të të drejtës për vetëvendosje të popullit shqiptar.
As ndikimi që ka pasur një film i realizuar në Shqipëri në vitin 1976, i titulluar “Ilegalët”, që trajtonte veprimtarinë antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, as mbështetja në definicionet e cilitdo fjalor nuk i jep saktësi përdorimit të gabueshëm të termit “ilegal” në raport me ne dhe organizatat (lëvizjet) që kishin për qëllim çlirimin kombëtar nga Jugosllavia.
Nëse kemi parasysh se në rrafshin e politikës ndërkombëtare cilësimi i një organizate si “organizatë ilegale” ka konotacion tejet negativ, për arsyes se në këtë kategori futen organizatat që merren me trafikim të drogës, të armëve, të njerëzve, të organeve njerëzore etj. duhet të ndërpritet përdorimi i gabueshëm i këtij termi. Në të kundërtën i bëjmë shërbim, në mënyrë të pavetëdijshme, propagandës antishqiptare.
Kush ishte ilegal në territoret shqiptare nën Jugosllavi? Grupet, organizatat dhe lëvizjet që angazhoheshin për çlirim kombëtar, apo ata që pushtuan territoret tona dhe që përpiqeshin të zbatonin ligjet e tyre në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar?
Në pjesën e parë të shkrimit theksova se çështja e legalitetit/ilegalitetit nuk ka për kriter vlerësimi formën e veprimtarisë, por ligjshmërinë e një veprimi. Gjithashtu përmenda se në raport me ligjshmërinë e veprimeve që shkëputën territoret shqiptare nga Shqipëria dhe ua ndanë si plaçkë shteteve fqinje, të gjithë veprimtarët për gjatë më shumë se një shekull e kanë cilësuar si të paligjshme.
Në kohën kur u krijuan shtetet kombëtare në Ballkanin Perëndimor Lidhja Shqiptare e Prizrenit hidhte poshtë si të paligjshëm çdo vendim që nuk përfillte vullnetin e popullit shqiptar të ndarë në katër njësi administrative (vilajete) të Perandorisë Osmane për të jetuar në një shtet të pavarur.
Me pushkë në dorë u kundërshtuan vendimet e Kongresit të Berlinit për të ndarë Kosovën dhe pjesë tjera të viseve shqiptare nga Shqipëria me qëllim që të kënaqnin aspiratat grabitqare të fqinjëve tanë.
Pa u zgjatur në detaje rreth atyre ngjarjeve po theksoj vetëm faktin se mijëra luftëtarë shqiptarë u vranë në periudhën 1878-1881, sepse kundërshtonin si të padrejtë dhe të paligjshëm copëtimin e territoreve tona.
Në përputhje të plotë me frymën e programit dhe qëndrimeve politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të gjitha format e organizimeve të mëvonshme politike shqiptare e kanë konsideruar si të padrejtë dhe të paligjshëm copëtimin e territoreve shqiptare dhe okupimin e tyre nga shtetet fqinje të Shqipërisë.
Për periudhën që shkon prej kohës së okupimit të territoreve shqiptare nga Serbia e deri në Luftën e Dytë Botërore po citoj historianin britanik Noel Malcom. Në veprën e tij të titulluar “Kosova, një histori e shkurtër” ai thotë: “E vërteta – sa u përket fakteve legjitime- është ndryshe. Kosova ligjërisht kurrë s’ka qenë e bashkuar me shtetin serb” (Vepra e përmendur e Noel Malcomit, f.275). Për këtë arsye, “nëse një shtet kishte okupuar ilegalisht ndonjë pjesë të një vendi tjetër kur i është bashkuar Lidhjes (së Kombeve), atëherë asnjë shtet tjetër nuk do të ishte i obliguar për ta mbrojtur atë okupim ilegjitim” (Vepra e përmendur e Noel Malcomit, f.276).
Kur kemi të bëjmë me ilegalitetin e aneksimit të territoreve shqiptare Jugosllavisë, vlen të theksohet se edhe vetë Partia Komuniste e Jugosllavisë në disa vendime të miratuara në kongreset e saja para Luftës së Dytë Botërore kishte ardhur te konkluzioni se shqiptarëve u ishte bërë padrejtësi e madhe. Po rikujtoj se në përputhje me qëndrimet e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për respektimin e të drejtës së kombeve për vetëvendosje, Komiteti Krahinor i PKJ-së për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit mbajti Konferencën e saj në Bujan, në të cilën delegatët shqiptarë, serbë, malazezë dhe boshnjakë të Kosovës miratuan në mënyrë unanime rezolutën përmes të cilës përcaktohej qartë se pas përfundimit të luftës, Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit do të bashkoheshin me Shqipërinë, në përputhje me vullnetin politik të popullit të saj.
Miratimi i Rezolutës së Bujanit për bashkimin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit me Shqipërinë kishte edhe karakter ndërkombëtar, për faktin se në këtë mbledhje merrte pjesë Majori Baili, përfaqësues i Misionit Anglez që përfaqësonte Aleancën Antifashiste.
Dihet se në vend të respektimit të së drejtës së popullit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, komunistët jugosllavë, në mënyrë të jashtëligjshme (ilegale), imponuan administrimin ushtarak në Kosovë dhe në Rrafsh të Dukagjinit.
Ky administrim vazhdoi deri në të ashtuquajturin “Kuvend i Prizrenit”, ku 137 “delegatë” të emëruar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, prej të cilëve vetëm 32 persona ishin shqiptarë, vendosën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkëngjiten Serbisë.
Përmes kësaj mbledhjeje në “Kuvendin e Prizrenit”, komunistët jugosllavë përpiqen të legjitimojnë ripushtimin e territoreve tona.
Nga cili do këndvështrim i të drejtës që të shihen vendimet e kësaj mbledhjeje del qartë se vendimet e saj ishin VENDIME ILEGALE, për arsye se ishin në kundërshtim të plotë me vullnetin e popullit të shprehur për bashkim me Shqipërinë.
Të gjitha grupet, organizatat dhe lëvizjet politike shqiptare në territoret që mbetën nën Jugosllavi, që u themeluan pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike pushtetin jugosllav dhe instalimin e këtij pushteti në territoret tona e kanë cilësuar si ripushtim. Pra nga këndvështrimi i të drejtës së kombeve për vetëvendosje, e drejtë që qëndron në themelet e të drejtës ndërkombëtare, pushteti jugosllav në territoret shqiptare ishte PUSHTET ILEGAL. Dhe rrjedhimisht ligjet e këtij shteti kanë pasur karakter ILEGAL/TË PALIGJSHME.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...