Haziri: Dimri do të jetë i vështirë, apeloj deputetët për votimin e Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike

14:02 | 24 Nëntor 2020
Arbresh.info

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, gjatë ditës së sotme ka qëndruar për vizitë në Komunën e Gjilanit.

Zemaj vizitën e ka nisur me një takim me kryetarin e Komunës Lutfi Haziri, në ambientin e kësaj komunë, shkruan arbresh.info.

Lidhur me takimin, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se ka pasur një takim me kryeministrin Avdullah Hoti, ku kanë diskutuar për Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

“Sot në mëngjes kam takuar kryeministrin Hoti, kemi biseduar në koordinim për nevojat e angazhimeve të përbashkëta në mënyrë që të ruhen asetet ekonomike që i ka edhe komuna e Gjilanit dhe natyrisht pakoja për Rimëkëmbjen Ekonomike është një pako financiare që i jep oksigjen ekonomisë është në këtë pako”, ka thënë Haziri.

Haziri iu bënë apel deputetëve që ta votojnë Pakon për Rimëkëmbjen Ekonomike.

“Unë apeloj deputetët jo vetëm të komunës së Gjilanit por të gjithë deputetët e të çdo partie që të vlerësojnë, të kontribuojnë e ta përmirësojnë nëse ka nevojë e ta votojnë atë pako ekonomike sepse dimri është i vështirë e rimëkëmbja e menaxhimi i situatës me pandeminë gjatë kohës së dimrit ka me qenë i vështirë. Pra ne e kemi përgatitur një kontingjent, pra është rritur për 70 për qind asistenca, kemi humbur mbi 800 vende të punë, e natyrisht do të duhej që të kemi mjete financiare e ushqimore, pra të rrisim buxhetin e të ju gjendemi njerëzve më afër”, ka thënë Haziri.

Ndërsa, ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se Komunën e Gjilanit ka të bëjë me avancimin e shërbimeve shëndetësore.

“Vizita e sotme ka të bëjë me mobilizimin, që ta ruajmë shëndetin publik dhe të bëjmë avancimin e shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet e kujdesit parësorë. Interesimi ynë i vazhdueshëm është që të ngrisim kapacitetet tona. Ngritja e resurseve humane e përfshinë edhe Gjilanin. E për ta ndryshuar gjendjen duhet ta ndryshojmë sjelljen e duhet ta rrisim kujdesin”, ka theksuar ai.

Ai ndër të tjera ka shtuar që të jemi sa më të kujdesshëm në mënyrë që të iu kthehemi normalitetit.

Bëjmë të ditur se Zemaj gjatë vizitës do të vizitojë edhe Spitalin e Gjilani ku do të bëjë dorëzimin e rentgenit mobil, si dhe do të vizitojë Qendrën Rajonale të Shëndetësisë Publike./Arbresh.info

 

Të ngjashme