Komisioni Evropian e prezantoi sot raportin e tij të rregullt për gjendjen e ndotjes së ajrit në Evropë, i cili përfshin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin vlerësohet se situata është ende e pakënaqshme, raporton AIM.
Shëndeti i banorëve të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera në rajon është ende seriozisht i rrezikuar, tregojnë shifrat e fundit të raportit të Agjencisë evropiane të Mjedisit për vitin 2018, i cili rezulton në një shkallë të lartë të vdekjeve të parakohshme, kryesisht për shkak të përqendrimit të lartë të PM 2.5 grimcat në ajër, theksohet në raport.
Nëse niveli më i lartë në numra absolutë është në Gjermani, Itali, Poloni dhe Francë për shkak të numrit të madh të popullsisë, në numra relativ, efekti është më negativ në Ballkan.
“Kur shikohen vitet e humbura të jetës në kuptimin relativ, impakt më të fuqishëm ka në Evropën Qendrore dhe Lindore ku janë matur përqendrimet më të larta të grimcave PM 2.5, gjegjësisht Kosova, Serbia, Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut”, thuhet në raport.
Komisari evropian për Mjedisin Jetësor, Virinius Sinkeviçius tha se Komisioni Evropian është në dispozicion të vendeve të rajonit për ndihmë, veçanërisht përmes Marrëveshjes së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
“Arsyeja kryesore është ngrohja e familjeve, përsëri nuk shohim një përmirësim dramatik që është i nevojshëm për shëndetin e qytetarëve. Komisioni është i gatshëm të bashkëpunojë me rajonin, kemi përgatitur Marrëveshje të Gjelbër për rajonin dhe jemi optimistë se mund të arrijmë rezultate të prekshme dhe të dukshme”, tha Sinkeviçius për AIM.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Evropiane të Mjedisit, Hans Brejninks, u përqendrua më hollësisht rrënjën e problemit për rajonin.
“Punojmë me gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor nën instrumentin paraqasës për të forcuar monitorimin, që të kemi të dhëna të drejta dhe kështu të ndihmojmë në krijimin e politikave atje”, tha Brejninks.
Sipas tij, një nga problemet kryesore është përdorimi i lëndëve djegëse të ngurta. “Mbi të gjitha, përdorimi i karburanteve të ngurta, përdorimi i qymyrit në industri, në sektorin energjetik dhe djegia e drurëve në amvisëri”, tha Brejninks, por edhe fakti që automjetet që përdoren në rajon janë të vjetra dhe ndotin më shumë.
“Vlerësimi i përgjithshëm është se rajoni ende ka nevojë për të arritur nivelin e zhvillimit teknologjik dhe përmirësime”, përfundoi drejtori i Agjencisë së Mjedisit.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...