Veliu: Buqlliqi është uzurpator, LVV-ja s’di të punojë për shtet

15:36 | 22 Nëntor 2020
Arditë Shkodra

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, thotë se Lëvizja Vetëvendosje nuk di të bëjë veprime të mençura për shtetin, sipas tij, kjo parti vetëm di t’i sulmojnë institucionet e vendit me molotov.

Ish-kryetari i Podujevës për disa mandate rresht, thotë se kandidati i LVV-së Shpejtim Bulliqi, është uzurpator dhe shtëpinë e banimit e ka të ndërtuar në pronë të komunës.

Këto komente Veliu i dha pasi javën që lamë pas kundër tij dhe dy ish-drejtorëve të tij, dega e LVV-së në Podujevë ka iniciuar kallëzim penal për “ndërtime të egra”.

Ministri Veliu tha se nuk merret me veprimet e LVV-së pasi sipas tij, partia e Albin Kurtit merret me shpifje e akuza.

“ S’merrem me komente të veprimeve të tyre fare, po çfarë akuzash ata, ata nuk dinë kurrgjë tjetër të bëjnë, vetëm shpifje e akuza, ata kurrfarë veprimi të mençur nuk dinë të bëjnë për këtë vend e për këtë shtet. Vetëm dinë të bëjnë akuza e gënjeshtra, dinë me i sulmua institucionet e shtetit me molotov e me ato që i kanë sulmuar”, tha Veliu të dielën për Gazetën Express.

Ai tha se LVV e akuzon atë, por thekson se kandidati i kësaj partie për të parin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është uzurpator sepse e ka ndërtuar shtëpinë në pronën e komunës.

“Ata akuzojnë dikë, a e kanë kandidatin e tyre uzurpator të pronës publike, ai e ka ndërtua shtëpinë në pronën e komunës, edhe qysh janë qytetarët të sigurt që ai do t’i mbrojë interesat e komunës, kur ai është uzurpatori vet”, tha më tej Veliu.

Për këtë çështje ai tha se janë procedura që duhet iniciuar komuna, teksa e theksoi edhe njëherë se shtëpia e Bulliqit është e ndërtuar në pronën publike të komunës së Podujevës.

“Sigurisht ato janë procedura që komuna duhet me i iniciua, ai me një debat e ka mohu, por tatimi në pronë dhe gjithë dokumentacioni e vërteton që shtëpia është e tij e ndërtuar në pronën e Komunës, ai është munduar mirëpo e vërteta është që ai, po e theksoj edhe njëherë shtëpinë e banimit e ka të ndërtuar në pronën e komunës”, tha Veliu për Gazetën Express.

Tutje, Veliu parashikoi se LDK do ta fitojë sërish Podujevën, teksa shton se kjo do të ndodh në “raundin e parë”.

“Jam i bindur që LDK prapë do ta udhëheq Komunën e Podujevës sepse ka qeverisë mirë, deri më sot nuk e ka asnjë aferë korruptive e as shkelje ligji, as dëmtim të pasurisë së shtetit, as pronës, përkundrazi kandidati i tyre është uzurpues dhe ka ndërtua shtëpi në pronën e komunës”, përfundoi Veliu.

Lëvizja Vetëvendosje dega në Besianë, të enjten ka dorëzuar kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Besianës, Agim Veliu, ish-drejtorit të planifikimit urbanistik Durim Salihu dhe ish-drejtoreshës së Inspektoratit, Florie Besholli, kallëzimi penal ka të bëjë me ndërtimet e egra në këtë komunë.

Kështu bëri të ditur njëri nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, në një paraqitje para mediave.

“Kemi dorëzuar kallëzim penal kundër ish-kryetarit të Besianës Agim Veliu, së bashku me dy vartësit e tij, ish-drejtorin e planifikimit urbanistik Durim Salihu dhe ish-drejtoreshës së Inspektoratit, Florie Besholli, kallëzimi ka të bëjë me ndërtimet e egra në Komunën e Podujevës”, tha përfaqësuesi i LVV-së.

“Ne fillimisht kemi dërguar një kërkesë me tri pyetje në Drejtorinë e Planifikimit Urbanistik dhe në bazë të përgjigjes që kanë dhënë kemi vërejtur se dy ndërtime janë në kundërshtim me rregulloren e planit urbanistik”, shtoi ai.

Tutje aty u tha se ka shkelje flagrante të planit urbanistik në Komunën e Podujevës.

Teksa u kërkua nga prokuroria të iniciojë rastin dhe Gjykata të nxjerrë një aktgjykim të merituar për personat në fjalë.

Të ngjashme