Zbulimi i mbetjeve mortore në rastin e Kizhevakut është dëshmia më e mirë e mbështetur në fakte shkencore se krimet e luftës kanë adresë institucionale në Beograd, duke dëshmuar se vrasja e civilëve në Kosovë gjatë luftës së fundit është kryer nga një vijë institucionale e regjimit serb, me urdhër të zinxhirit komandues, duke zhvarrosur të vrarët, transportuar nga Kosova në Serbi dhe fshehur në vende sikur xeherorja e Kizhevakut.
Lidhur me këtë çështje ka folur edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Në një deklaratë për arbresh.info, Miftarja ka thënë se edhe pse është fakt se Serbia ka kryer krime lufte ne vendin tonë, dokumentimi i këtyre krimeve dhe procedurat e tjera penale ndaj kryerësve të këtyre veprave janë barrë e Kosovës që nga viti 2014 kur edhe janë marrë kompetencat nga institucionet e Kosovës.
“Si rezultat i dhunës sistematike shtetërore të ish-Jugosllavisë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë dhe me qëllim të parandalimit të një katastrofe humanitare në vitin 1999 kishin edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë që rezultoi me çlirimin e Kosovës dhe vite më vonë edhe me shpalljen e pavarësisë në mënyrë të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë. Përderisa, është fakt notor se Serbia ka kryer krime lufte në Kosovë, dokumentimi i këtyre krimeve dhe procedurat penale ndaj kryesve të këtyre krimeve bie në barrë të Republikës së Kosovës së paku nga viti 2014 kur kompetencat janë marr nga institucionet e Kosovës”, ka deklaruar Miftaraj.
Miftaraj: Politika në Kosovë amnistoi krimet e Serbisë
Ai po ashtu, ka thënë se politika e Kosovës ka dështuar sa i përket ndikimit të tyre në ofrimin e amnistisë së plotë të aparatit shtetëror të dhunës së Millosheviqit dhe zyrtarëve të saj.
“Në këtë drejtim politika në Kosovë pothuajse ka dështuar në mënyrë të plotë duke ndikuar që me mos veprim të ofroj amnisti të plotë ndaj aparatit shtetëror të dhunës të regjimit të Millosheviqit dhe zyrtareve serb që në emër të kësaj kanë kryer krime”, ka thënë ai.
Ndër të tjera Miftaraj, ka shtuar se nëse Kosova në një afat sa më të shpejtë kohor nuk ndërmerr diçka në këtë drejtim, historia nuk do te ua fal klasës politike gabimet e vazhdueshme dhe injorimin e obligimit shtetëror për të hetuar, ndjekur dhe gjykuar krimet serbe në Kosovë.
Damati: Tenderomania la politikanët pa i faktuar krimet e luftës
Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, avokati Musa Damati, ka deklaruar se spektri politik i Kosovës që nga pas lufta më shumë është koncentruar në aferat e tenderomanisë se sa që ka punuar në planin ndërkombëtar për të kërkuar në trajtimin e dëmeve.
Ai ka përmendur edhe faktin e Gjermanisë në Luftën e dytë Botërore për detyrimet e saj për shkaktimin e dëmeve.
“Shteti i Kosovës përkatësisht spektri politike në Kosovë që nga perioda e pas luftës ka qenë i koncentruar në aferat e tenderomanisë dhe e koncentruar në interesat kontinuele të ngushta partiake, duke mos punuar kështu në planin ndërkombëtarë për të kërkuar trajtimin e dëmeve dhe të borxheve të luftës së fundit në Kosovë, dhe duke mos e trajtuar ne plan ndërkombëtare me përgjegjësi aspektin e institutit të kompensimit material dhe moral, ashtu siç ka ndodhur me Gjermaninë e pas luftës së dytë botërore në aspektin e detyrimeve të saj ndërkombëtare në raport me shkaktimin dëmeve të luftës”, është shprehur ai.
Damati ka shtuar se Republika e Kosovës me mekanizmat e saj institucional duhet të filloj me krijimin e ekipeve të specializuara të avokateve dhe të hetuesve për të mbledhur prova dhe për të krijuar dosjet voluminoze juridike dhe duke adresuar kështu në politiken e saj të jashtme ndërkombëtare dëmet dhe krimet e luftës së fundit në Kosovë nga Serbia.
“Shteti i Kosovës në planin ndërkombëtarë në këtë aspekt qëndron shume larg dhe është përgjegjësi institucionale e Kosovës mos faktorizimi i dëmeve të luftës duke lënë kështu shumë mistere të pazgjidhura në planin ndërkombëtarë. Krerët e UÇK-së, janë në Hagë bazuar në lobin e fuqishëm serb në aspektin ndërkombëtarë, përderisa lobi institucional i Kosovës në aspektin e trajtimit të dëmeve dhe krimeve të luftës nuk po duket askund në sipërfaqe. Republika e Kosovës me mekanizmat e saj institucional duhet të filloj me krijimin e ekipeve të specializuara të avokateve dhe të hetuesve për të mbledhur prova dhe për të krijuar dosjet voluminoze juridike dhe duke adresuar kështu në politiken e saj të jashtme ndërkombëtare demet dhe krimet e luftës së fundit në Kosovë, të cilat do të duhet të merrnin epilogun e saj përmes drejtësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar njohësi i çështjeve juridike, avokati Musa Damati.
Gashi: Neglizhenca e jonë solli përrallat serbo-ruse për shtëpinë e verdhë
Avokati Tomë Gashi, për arbresh.info, ka deklaruar se udhëheqësit politikë e shtetëror asnjëherë nuk kanë menduar ta padisin Serbinë për krime kaq të tmerrshme që i bëri në Kosovë.
“Pjesa më e madhe e këtyre udhëheqësve politik dhe shtetëror, asnjëherë as që kanë menduar që ta padisin Serbinë për krime kaq të tmerrshme që i bëri në Kosovë, sa që bota nuk kishte parë krime të tilla qysh nga përfundimi i Luftës së Dyte Botërore. Ata asnjëherë nuk mu morën me çështje kaq te ndjeshme, sa që ishte edhe gjetja e trupave të vrarë në Serbi, ku vetëm në një rast me presion të bashkësisë ndërkombëtarë u gjeten mbi 700 trupa të shqiptarëve të vrarë e të rivarrosur në poligonin e njësisë speciale të policisë së Serbisë në Beograd”, ka deklaruar avokati Gashi.
Sipas Gashit, politikanët e Kosovës lejuan që Serbia jo vetëm me vite por me dekadë t’i fshehin trupat e shqiptareve të vrarë, ndërsa nuk bënë presion ndërkombëtar për hulumtimin e vrasjes së shqiptareve, edhe pse kishte indikacione, se serbët i vranë shqiptarët dhe i morën organet njerëzore.
“Por, nga neglizhenca edhe e jona situata ndryshoj deri në atë mase, sa që për të mos ju thënë ne atyre, serbeve. Ata inskenuan përralla tepër të rënda dhe i ndërlidhen me të ashtuquajturën shtëpi e verdhë në Shqipëri, pastaj serbët së bashku me rusët dhe të tjerët sajuan një shtëpi të verdhë në Shqipëri me pretendime se kinse janë nxjerrë organe njerëzore dhe trafikuar. E pastaj e solli raportin Dick Marty, pastaj këta të tanët votuan Gjykatën Speciale, dhe tani vetëm me fillimin e punës së Gjykatës Speciale pas ngritjes dhe konfirmimit të akuzave kemi 7 pjesëtarë të UÇK-së, në Hage dhe asnjë serbë”.
Gashi ka shtuar se zbulimi i tanishëm i mbetjeve mortore në Rashkë të Serbisë është jo i rastësishëm, por i qëllimshëm,
“Që Serbia të thotë se është për bashkëpunim ndërkombëtarë dhe thuajse Serbia po shndërrohet në një shtet paqësorë, edhe pse të gjithë e dinë se është shtet kriminal, gjenocidial dhe udhëhiqet nga dy bashkëpunëtorë shumë të ngushtë të Millosheviqit, ku njeri ministër i Millosheviqit është Kryetar i Serbisë Aleksandër Vuqiqi, ndërsa zëdhënësi i Millosheviqit është Kryetar i Kuvendit të Serbisë. Normalisht që Kosova do të duhej dhe duhet t’i përdorë faktet e gjetjes mortore të Shqiptareve në territorin e Serbisë, për ta paditur Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, është shprehur avokati Gashi./E.Ballazhi/arbresh.info/
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit
Prokuroria në Prishtinë ngriti 121 aktakuza ndaj 126 persona...
Era e fortë shkakton dëme në Durrës, palma bie në mes të tro...
Parandalohet edhe një rast i kontrabandës me mallra
Vengu në Pentagon: Biseduam për financimin e kapaciteteve të...
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...