Misioni i SHBA-ve në OKB kërkon nga Rusia t’u japë fund abuzimeve në Krime

18:12 | 20 Nëntor 2020
Arbresh.info

Misioni i SHBA-ve në OKB (USUN) i kërkoi Rusisë që “menjëherë” të ndalojë shkeljet e saj në Krimenë e pushtuar dhe t’ia kthejë kontrollin e plotë Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“SHBA i bën thirrje Rusisë që t’u japë fund menjëherë abuzimeve të saj në Krimenë e pushtuar, të lirojë të gjithë ukrainasit e burgosur padrejtësisht për kundërshtim paqësor dhe t’ia kthejë kontrollin e plotë të gadishullit Ukrainës”, tha USUN në rrjetet sociale.

Misioni shprehu mbështetje për popullin e Krimesë, duke e konsideruar Rusinë përgjegjëse për abuzimet e rënda të të drejtave të njeriut.

“Pushtimi rus ka dëmtuar rëndë liritë themelore të shprehjes, shoqërimit, fesë ose besimit dhe tubimit paqësor, duke detyruar shumë persona të largohen. Ne qëndrojmë me popullin e Krimesë, shoqërinë civile dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut që punojnë për të mbrojtur këto të drejta”, theksoi USUN.

Sipas SHBA-ve, situata në Krime mbetet e tmerrshme pasi “autoritetet ruse të pushtimit përdorën forcën dhe kërcënimin për të shtypur mospajtimin dhe kundërshtimin”.

Rusia dha Ukraina që nga viti 2014 mbeten në mosmarrëveshje pasi Rusia aneksoi Krimenë pas një referendumi të diskutueshëm.

Turqia, si dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së aneksimin e konsiderojnë të paligjshëm.

Ukraina po ashtu ka fajësuar Rusinë për dhunë separatiste në Ukrainën lindore pranë kufirit me Rusinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme