Quni priti në vizitë ambasadorin e Hungarisë në Kosovë – pajtohen që të vazhdojë bashkëpunimi në funksion të paqes

15:55 | 20 Nëntor 2020
Arbresh.info

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, priti sot ambasadorin e Republikës së Hungarisë në vendin tonë, Jozsef Bencze në vizitën e tij të parë në Ministrin e Mbrojtjes.

Në fillim, ambasadori Bencze vlerësoi lart rëndësinë e partneritetit në mes dy ministrive duke shprehur gatishmërinë e shtetit hungarez dhe institucioneve të saj në mbështetjen e mëtejme të FSK-së për arritjen e objektivave të saj, transmeton Arbresh.info.

Ministri Quni, nga ana e tij falënderoi për vizitën dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritashme të Hungarisë në të gjitha fushat, përmes kontributit me kontingjentin ushtarak në kuadër të KFOR-it, në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të Ministrisë së Mbrojtje dhe FSK-së.

Ai gjithashtu kërkoi ofrimin e eksperiencës për procesin reformues të FSK-së si dhe eksperiencën e zbatuar të institucioneve hungareze për procesin integrues euroatlantik në NATO.

Ministri Quni, në vazhdim theksoi se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, janë në proces të realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, proces i cili zhvillohet në transparencë të plotë, dhe si gjithmonë, në koordinim të plotë me partnerët tanë./Arbresh.info/

Të ngjashme