Google ADS

Greqia mbylli kufirin, radhë të gjata kamionësh me mallra në doganën e Kapshticës

10:13 | 20 Nëntor 2020
A. B.

Vendimi i një dite më parë i Greqisë për mbylljen e pikës kufitare të Kapshticës, i ka gjetur të papërgatitur transportuesit e mallrave.

Kjo ka bërë që mëngjesin e sotëm të krijohen radhë të gjata të kamionëve të mallrave në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

Kamionistët ankohen se nuk ishin lajmëruar se ata nuk do të lejoheshin, duke treguar se ata janë lejuar gjithmonë të punojnë në çdo kohë.

“Nuk na kanë lajmëruar fare, tani thanë që nuk kalojnë deri në datë 4 dhjetor. Tani do presim çfarë do të na thonë. Kjo na pengon shumë, ne nuk marrim rrogë. Nuk e dimë si bëhen këto punë”.

Lajmi u pasqyrua gjerësisht dje në median shqiptare referuar mediave greke që pasqyronin deklaratën e zëdhënësit të qeverisë greke për mbylljen e pikave të kalimit tokësor duke lënë të hapur vetëm nga një doganë me vendet fqinje, përkatësisht Kakavijë me Shqipërinë.

Ministria jonë e Jashtme njoftoi dje për mbylljen e Kapshticës për udhëtarët por nuk pati një njoftim specifik për kamionët e mallrave.

Njoftimi i plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se Qeveria greke ka njoftuar në lidhje me kufizimet e hyrjes në rrugë tokësore të udhëtarëve drejt Greqisë, përfshirë pikat kufitare me Shqipërinë. Lajmi është bërë i ditur nga Zëdhënësit Qeveritar, Stelios Petsas.

Konkretisht, duke filluar nga dita e nesërme, datë 20 nëntor 2020, ora 06:00 e mëngjesit, mbyllet pika kufitare në Kapshticë, ndërsa mbetet e hapur ajo në Kakavi. Në lidhje me kufijtë e tjerë veriorë të vendit, do të mbeten të hapura pikat kufitare në Evzonoi dhe Promachona, ndërsa në Nimfea do të hyjnë vetëm kamionat.

Më tej, qytetarët që hyjnë në Greqi, përveç paraqitjes së testit negativ PCR të kryer deri në 72 orë më parë, do të kryejnë edhe rapid test nga Njësi të Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile dhe Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë. Personat që rezultojnë negativë, mund të hyjnë në vend dhe të shkojnë në destinacionin e tyre, në bazë të dokumentit PLF që do dorëzojnë.

Ky vendim vlen vetëm për kufijtë tokësorë, të lartpërmendur, ndërkohë që kufijtë ajrore mbeten të hapur. /oranews

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diasporës

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme