Google ADS

Si mund të jetë një plan i mirë rikuperimi të gjelbër nga Covid-19

01:15 | 20 Nëntor 2020
Trina Galanxhi

Si duket një rikuperim i gjelbër? Kjo është pyetja që qeveritë në të gjithë botën po shqyrtojnë ndërsa vendosin se si të rreshtojnë paketat e tyre të shpëtimit ekonomik në një vlerë prej 12 trilionë dollarësh, për trajtimin e pandemisë së koronavirusit me detyrimet që kanë sipas marrëveshjes së klimës së Parisit.

Mbretëria e Bashkuar pritet të shpallë një plan rikuperimi me 10 pika këtë javë dhe vëzhguesit kanë paralajmëruar se nëse këtij plani i mungon ambicia, ai mund të dëmtojë qëllimet e botës për të kufizuar prishjen katastrofike të klimës.

Ndërsa disa vende, veçanërisht BE, dhe veçanërisht vendet anëtare Franca dhe Gjermania, kanë theksuar një nxitje për rritje ekonomike me pak karbon, duke i dhënë përparësi energjisë së rinovueshme, transportit të gjelbër, restaurimit të natyrës dhe projekteve të tjera të dobishme për mjedisin, të tjerët – përfshirë Rusinë, Arabinë Saudite dhe Turqia – nuk e kanë bërë.

Analiza e ‘The Guardian’ gjithashtu zbuloi se në disa vende, si Koreja e Jugut, SHBA dhe Kina, pjesa e gjelbër e një pakete shpëtimi ekonomik kombëtar është tejkaluar nga elementët me karbon të lartë, duke përfshirë ndihmat për kompanitë e karburanteve fosile (naftës) ose industritë me intensitet të lartë karboni, siç janë linjat ajrore.

Ekzistojnë shumë qasje për një rikuperim të gjelbër, por ekonomistët dhe këshilltarët kanë identifikuar një sërë masash kryesore që janë në dispozicion për shumicën e qeverive në një formë, që do të ndihmonin në zhvendosjen e ekonomive kombëtare larg karburanteve fosile dhe prodhimin e pak karboni në mënyrë permanente, në mbështetjen dhe gjenerimin e shpejtë të vendeve të reja të punës, për të kompensuar humbjet e vendeve të punës që rezultojnë nga pandemia dhe bllokimet.

Synimet që vendet kanë vendosur deri më tani për zvogëlimin e gazeve serë arrijnë në vetëm rreth 15% të përpjekjeve të nevojshme për të përmbushur marrëveshjen e Parisit, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Fatih Birol, drejtori ekzekutiv i agjencisë, paralajmëroi: “Këtu ka një hendek të madh. Kjo definitivisht nuk është një shifër shumë inkurajuese. Rritja e ulët ekonomike [siç është ajo e shkaktuar nga pandemia] nuk është një strategji e ulët emetimesh. Ne kemi nevojë për politikat e duhura për të pasur rritje ekonomike dhe në të njëjtën kohë për të ulur emetimet. Ne kemi nevojë për një rikuperim të gjelbër”. 

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka vlerësuar se 9 milionë vende të reja pune mund të krijohen globalisht në vitin e ardhshëm nëse vendet ndjekin një rrugë të gjelbër rimëkëmbjeje.

Efikasiteti i energjisë  

Pak vende janë të mirë sa duhet në efikasitetin e energjisë, pas vitesh që karburanti ka qenë relativisht i lirë. Shtëpitë e vjetra mund të mos jenë mirë të izoluara, dhe në klimat e ftohta shumë varen nga lëndët djegëse për ngrohje. Në vendet e ngrohta, përmirësimi i kondicionimit të ajrit mund të zvogëlojë temperaturat me 0.4C deri në fund të shekullit, përmes reduktimeve të gazrave ftohës, si dhe dioksidit të karbonit.

Masa të thjeshta të tilla si izolimi i tarracës dhe mureve, zëvendësimi i dritareve, lëvizja në burime të nxehtësisë me karbon të ulët siçjanë pompat e nxehtësisë ose sistemet e ngrohjes qendrore dhe modernizimi i pajisjeve të kondicionimit të ajrit në vendet e nxehta, mund të japin përfitime të mëdha duke kursyer para duke shkurtuar përdorimin e energjisë. Por, kostot e para dhe bezdisja e punës së ndërtimit i pengojnë pronarët e shtëpive, ndërsa qiramarrësit kanë edhe më pak stimuj. Kjo do të thotë që në shumicën e vendeve ndërhyrja e qeverisë është e nevojshme, ose për të detyruar njerëzit dhe bizneset të ndërmarrin përmirësime, ose për të siguruar subvencione për ti bërë këto përmirësime më tërheqëse.

Një ndërmarrje e tillë është shumë e ngarkuar me punë dhe jep rezultat shpejt, kështu që ekonomistët e konsiderojnë atë si mënyrën më të kollajshme për një rimëkëmbje të gjelbër.

Infrastruktura e karikimit të makinave elektrike 

Transporti është një burim në rritje i emetimeve të karbonit dhe një shkak kryesor i ndotjes së ajrit në natyrë që merr 4.5 milion jetë në vit globalisht. Kalimi në makinat elektrike do të shkurtonte ato probleme në mënyrë drastike dhe kostot e automjeteve elektrike kanë rënë shpejt në vitet e fundit. Tashmë, kostot e jetës së automjeteve elektrike janë më të ulëta se ato të makinave me karburante fosile.

Një faktor që ngadalëson blerjen e makinave elektrike është mungesa e stacioneve të karikimit. Ndërtimi i rrjeteve të karikimit do të jetë thelbësore, dhe është gjithashtu një ndërmarrje që kërkon punë intesive, si me atësi të lartë, ashtu dhe me aftësi të ulët punëtore, dhe do të siguronte përfirime afatgjatë në qytete.

Përhapja e internetit 

Bllokimet në të gjithë globin kanë çuar në një shpërthim të video konferencave këtë vit. Shpejtësitë e dobëta të internetit janë ende një problem për shumë njerëz, megjithatë, veçanërisht në zonat rurale ku është më e kushtueshme të shtrosh kabllot me shpejtësi të lartë të nevojshme interneti. (përktheu lapsi.al) Infrastruktura e internetit të shpejtë do të ndihmonte më shumë njerëz të punonin nga shtëpia, do të ofronte një ndihmë sociale për zonat e izoluara dhe do të zvogëlonte nevojën për udhëtime. Pjesa më e madhe e punës përfshin gërmimin e rrugëve, pasi teknologjia ekziston, por duhet të vendoset. Stimujt ose uljet e taksave për këto kompani nga qeveritë mund të paguajnë për kët zgjerim të rrjetit, pasi kostoja për zgjerim për individët që duan një lidhje më të mirë është shpesh e lartë.

Restaurimi i natyrës 

Rritja e pemëve është një nga mënyrat kryesore të trajtimit të krizës klimatike dhe ofron një mënyrë për të kundërshtuar shkatërrimin tonë të vazhdueshëm të peizazheve jetësore dhe habitateve të botës së egër. Forma të tjera të restaurimit të natyrës sigurojnë përfitime të ngjashme, nga hedhja e ujit në këneta e deri tek rinovimi i tokave të varfëruara. Zgjidhjet e bazuara në natyrë për krizën e klimës kanë marrë vëmendje të pakët në të kaluarën, por ka një lëvizje në rritje në të gjithë botën për të rivendosur peisazhet dhe për të korrur përfitimet në uljen e karbonit që sjell. Këto projekte mund të ofrojnë vende pune në zonat rurale dhe një alternativë ndaj bujqësisë intensive.

Ndërtimi i një infrastrukture të fortë dhe mbrojtjet nga përmbytjet

Disa nga ndikimet e prishjes së klimës janë tani të pashmangshme, dhe disa janë tashmë të dukshme, kështu që përpjekjet për të ulur emetimet e gazeve serë duhet të shoqërohen me masa për të ndërtuar rezistencën tonë ndaj motit ekstrem. Do të nevojiten ndryshime në infrastrukturë siç janë transporti, komunikimet, uji dhe rrjetet e energjisë, për t’i mundësuar atyre që të mbijetojnë nga përmbytjet, valët e nxehtësisë dhe thatësira. Skemat e mbrojtjes nga përmbytjet, përfshirë lumenjtë dhe digat, duhet të jenë gjithashtu një përparësi për vendet në të gjithë botën që ka të ngjarë të shohin reshje më të larta shiu dhe stuhi më të ashpra.

Riorganizimi i qyteteve 

Mungesa e trafikut nga rrugët gjatë karantinës nxiti banorët urbanë nëpër botë që të riimagjinojnë jetën pa makina ndotëse, pasi papritmas qielli u pastrua, zogjtë kënduan dhe natyra u kthye në rrugë të shkreta. Ecjet dhe biçikleta janë shumë më të lehta kur ka më pak makina, ose kur trafiku motorik menaxhohet më mirë. Qytetet kanë përfituar nga ndërprerja e papritur për të ridizenjuar rrugë për të inkurajuar ecjen dhe çiklizmin. Punimet e ndërtimit të rrugëve që i japin përparësi transportit me karbon të ulët do të siguronin punë të gatshme në shumë qendra urbane, si dhe përfitime shëndetësore afatgjata dhe një mjedis më të sigurt.

Rrjeti i energjisë elektrike 

Më shumë energji elektrike e rinovueshme, nga burime ndonjëherë të ndërprera, do të thotë që duhet një rregullim i rrjetit elektrik në shumë vende. Azhurnimi në teknologjinë e rrjetit inteligjent mund të ndihmojë gjithashtu në balancimin e ngarkesës, zvogëlimin e kërkesës në kohë kyçe dhe kursimin e energjisë në përgjithësi, si dhe uljen e kostove për kompanitë e energjisë. Konsumatorët gjithashtu mund të pajisen me sahatë inteligjentë për t’i ndihmuar të menaxhojnë kërkesën e tyre dhe të ndërpresin vetë përdorimin e energjisë.

Energjia e rinovueshme 

Energjia diellore dhe e erës kanë rënë në mënyrë dramatike në çmim në vitet e fundit, duke i bërë ato tani konkurruese ose edhe më të lira se energjia elektrike e karburantit fosil në shumë vende. Këtë vit ka pasur një rritje rekord në prodhimin e energjisë së rinovueshme, pavarësisht krizës së Covid-19.

Në vendet në zhvillim, panelet diellorë ose fermat e erës mund të transformojnë jetën e 600 milionë njerëzve që nuk kanë qasje në energji elektrike, dhe një zgjerim i shpejtë mund të heqë nevojën për planet e ndërtimit të termocentraleve me qymyr që u ringjallën nga disa në përgjigje të pandemisë. Në vendet e pasura, instalimi i paneleve diellorë do të siguronte punë dhe do të shkurtonte faturat e energjisë së familjeve. Në rajone me më pak diell, era mund të jetë një opsion më i lirë: Britania e Madhe po kërkon të furnizojë çdo familje me erë në det të hapur, sipas planeve të zbuluara nga kryeministri Boris Johnson në tetor.

Riciklimi, përdorimi i burimeve dhe mbeturinat

Nëse maskat ka të ngjarë të jenë simboli i qëndrueshëm i vitit 2020, ato janë gjithashtu burimi më i ri i mbetjeve plastike, me mijëra tonë të tilla janë hedhur tani duke shtuar plagën e plastikës që mbush detet tona dhe rrugët e ndotura. Tani është një kohë e mirë për shoqëritë në të gjithë botën qëtë rishkojnë se si i trajtojmë mbeturinat tona.

Teknologjia e riciklimit është përmirësuar, duke bërë që më shumë plastikë të riciklohet lehtësisht se sa më parë, dhe për materiale të tjera të riciklueshme siç është metali, problemi kryesor në botën e zhvilluar ka qenë mbledhja. (përktheu lapsi.al) Riciklimi mund të jetë fitimprurës, dhe siguron punë të afta dhe gjysmë të afta në një industri afatgjatë dhe të qëndrueshme, duke e bërë atë një objektiv tjetër për rimëkëmbjen e gjelbër. Marrja e mbeturinave ndalon që këto mbeturina të shkojnë në rrugët ujore dhe detin, ku mund të dëmtojnë jetën e egër.

Hidrogjen, kapje dhe ruajtja e karbonit 

Sikurse duke investuar në teknologji të provuara të tilla si energjia e rinovueshme dhe efikasiteti i energjisë, vendet tani duhet të vendosin paratë në forma më të reja të energjisë që janë “tashmë gati për ‘prime time’” dhe kanë nevojë për investime për t’u rritur, thotë Birol i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Hidrogjeni është më kryesori midis tyre, një karburant me karbon të ulët që mund të zëvendësojë gazin natyror dhe mund të japë përgjigjen për problemin e transportit.

Stimujt qeveritarë janë ende të nevojshëm në këtë fazë të zhvillimit të teknologjisë dhe vendet rreth botës po konsiderojnë se si të përfitojnë nga potenciali i karburantit.

Kapja dhe ruajtja e karbonit ka të ngjarë të jetë e nevojshme për të përmbushur qëllimet e emetimeve globale, megjithëse ka ende pyetje se si të paguhet për të. Teknologjia mund të përdorë infrastrukturë të ngjashme me nxjerrjen ekzistuese të naftës, duke siguruar një rrugë për një “tranzicion të drejtë” nga vendet e punës me karbon të lartë, në vende pune me karbon të ulët në industrinë e karburanteve fosile./lapsi.al/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme