Kryeministri Edi Rama iu bëri sërish thirrje qytetarëve që të mos bëjnë tamponë dhe marrin ilaçe te spitalet private për t’u trajtuar për koronavirusin.
Në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, kreu i qeverisë theksoi se njerëzit harxhojnë shuma të majme te privati, duke marrë antiviralë që mund t’iu bëjnë edhe dëm.
Duke folur për vaksinën anti-Covid, kryeministri theksoi se Shqipëria ka vënë në dispozicion fondin dhe kur të jetë gati do të vijë te ne dhe do të bëhet falas për të gjithë qytetarët.
“Në çdo bisedë me ekspertët, ata më thonë “Kryeministër thuajini njerëzve sa më shumë që të shmangin mjekimet me gojë pas goje e vesh pas veshi dhe çdo recetë që marrin nga privatët ta verifikojnë me mjekun e familjes”. Shumëkush harxhon shumë, merr antiviralë që mund t’i bëjë dhe dëm. Edhe harxhon lekë, edhe dëmton veten. Ky është një problem, që e kam ngritur edhe herë tjetër. Flasim për receta të majme, që jepen nga privatët dhe që nuk janë fare të rakorduara në funksion të kurës bazë. Në këtë luftë paniku është armiku më i madh. Nga njëra anë kemi opozitën, që për fat të keq e do panikun dhe ëndërron katastrofën, si mjet për të ardhur në pushtet; kemi mediat që nuk bëjnë filtra fare; kemi dhe ankthin normal nga kjo sëmundje. Nëse ti je në kushte shtëpie dhe ke simptoma të lehta, do të sillesh njësoj sikur e ke Covid. Do të telefonosh mjekun e familjes dhe nuk ke nevojë të panikosesh, thjesht do të ndjekësh procedurën. Është shumë e rëndësishme që kjo luftë të përballohet me qetësi, që të mos biem në panik”, u shpreh Rama.
A do t’i hetoni privatët për këto çmime?
Nuk i kemi thënë askujt të shkojë te privati. Testet te privati janë hapur tek ata që kanë pasur nevojë të shkojnë jashtë. Ne nuk i rekomandojmë njerëzit të shkojnë te privati. E kemi zgjidhur këtë sistem që në vitin 1990, qeveria nuk vendos çmime. Ulja e çmimit te privati ka qenë rezultat i një insistimi të pafundëm të ministres së Shëndetësisë. Më vjen mirë që nga të katër laboratorët privatë është rënë dakord që të ulet çmimi. Nuk e bën dot shteti të ulë çmimet, se nuk jemi në komunizëm. Nuk ka vend demokratik ku qeveria vendos çmime, është e pamundur. Nuk e ulëm ne, e ulën ata, pasi këmbëngulëm shumë e shumë kohë.
Për vaksinën, a keni një plan?
Asnjë qeveri sot nuk ka blerë asgjë, kanë vënë në dispozicion fondet, siç i kemi vënë edhe ne. Kanë vendosur fond në dispozicion, që menjëherë sapo vaksina të bëhet e tregtueshme, ta blejnë. Edhe ne kemi bërë këtë gjë. Unë di të them që e mendoj në mënyrë të vazhdueshme se çfarë do të kishte ndodhur këtu sikur kjo flamë të na gjente para 7 vitesh. Atëherë do të kishim parë ne se çfarë do të thotë të jesh turpi dhe gazi i botës. Nëse ka një arsye për të cilën unë ndjehem ballëhapur para njerëzve është se kjo qeveri, me gjithë defektet që ka, në këtë luftë nuk ka bërë asnjë hap fals bazuar në zbatimin e planeve.
Vaksina do të jetë me pagesë apo falas?
Do të jetë falas për të gjitha shtresat. Nuk e dimë kur do të vijë në Tiranë.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...