Google ADS

SHBA lejon fluturimet e sërishme të avionit Boeing 737 MAX

23:28 | 18 Nëntor 2020
Arbresh.info

Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) tha se do të lejojë avionët e tipit Boeing 737 MAX për të fluturuar pas pezullimit 20-mujor si pasojë e dy aksidenteve fatale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rregullatori do të lejojë që avioni të kthehet në shërbimin komercial me kushte të caktuara.

FAA kërkoi ​​ndryshime të dizajnit që duhet të bëhen para se të rifillojë shërbimi dhe publikoi ​​një listë të njoftimeve dhe kërkesave të trajnimit.

Boeing gjithashtu duhet të miratojë rishikimet e programit të trajnimit të pilotëve të avionit të tipit 737 MAX për secilën kompani ajrore amerikane që operon avionin, krahas që detyron linjat ajrore të ndërmarrin hapat e duhur të mirëmbajtjes për t’u përgatitur për fluturime.

“Dizajni dhe certifikimi i këtij aeroplani përfshin një nivel pa precedent të rishikimeve bashkëpunuese dhe të pavarura nga autoritetet e aviacionit në gjithë botën”, thuhet në deklaratën e FAA-së.

“Ata rregullatorë kanë treguar që ndryshimet e dizajnit të Boeing-ut, së bashku me ndryshimet në procedurat e ekuipazhit dhe përmirësimet e trajnimit, do t’u japin atyre besimin për ta vërtetuar avionin si të sigurt për të fluturuar në vendet dhe rajonet e tyre përkatëse”, theksohet më tej.

FAA tha se do të vazhdojë të punojë ngushtë me administratat e huaja të aviacionit civil për të vlerësuar më tej avionin 737 MAX.

Dhoma e Përfaqësuesve kritikoi Boeing-un dhe rregullatorët qeveritarë në një raport me 250 faqe në shtator pas 18 muajsh hetime mbi rrëzimet fatale që tronditën botën në fillim të vitit 2019, duke thënë se avioni kishte “defekte serioze dhe hapa të gabuar në dizajnin, zhvillimin dhe certifikimin”.

Një prej avionëve u rrëzua më 29 tetor 2018 në Detin Java në Indonezi, duke lënë të vdekur të gjithë 189 pasagjerët dhe ekuipazhin, ndërsa një tjetër aksident më 10 mars 2019 në Etiopi vrau 157 njerëz.

Pas aksidentit të Etiopisë, të gjithë aeroplanët 737 MAX u pezulluan në gjithë botën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme