Google ADS

“Hasmëri” në publik, po shqiptarë të shumtë vizitojnë restorante serbe në Graçanicë

15:00 | 18 Nëntor 2020
arbresh.info

Edhe pse është në Republikën e Kosovës, nëse kalon përmes Komunës së Graçanicës nuk të lë përshtypje që ndodhesh në Kosovë.

E rrethuar me flamuj të Serbisë e fotografi të liderëve serb, Graçanica vazhdon të udhëhiqet nga struktura që mbajnë kontakte direkte me Beogradin zyrtarë.

Madje, nga ta dyshohet se u dha urdhër për të djegur edhe banerin që simbolizonte lirinë dhe vlerat e UÇK-së, i vendosur në Kishnicë, fshat ky me shumicë shqiptare.

E këto nuk i ‘u mjaftojnë shqiptarëve që pavarësisht ndasive etnike dhe trajtimit që marrin nga serbët e asaj pjese, vazhdojnë t’i  frekuentojnë restorantet e lokalet e tyre.

Edhe pse Kosova ka një infrastrukturë të mirë të gastronomisë, janë të shumtë ata shqiptarë që zgjedhin restorantin “Etno Kuca” që gjendet në Graçanicë për të dreku e darku.

Përmes këtyre videove dëshmohet prania e shqiptarëve në këtë vend, pavarësisht “hasmërisë” publike.

E disa kilometra më larg, të martën është djegur baneri “Liria ka emër UÇK” që tregon fuqinë që kanë serbët në atë pjesë.

“Kujt po i pengon vendosja e këtij baneri”, thotë filozofi, Ismail Tasholli.

Analisti, Fatmir Sheholli, u bënë thirrje shqiptarëve të Graçanicës ta ngrisin zërin për këto padrejtësi që po ju bëhet.

“200 metra me larg e keni fotografinë e Ivica Daciqit  dhe pak  ma andej i keni të gjithë flamujt e Serbisë dhe deri sot askush nuk i ka prek ato. Unë i ftoj këta shqiptarët e Graçanicës që ta ngrisin zërin”, deklaron Sheholli.

Portali arbresh.info kërkoi të flasë me kryetarin e Graçanicës dhe drejtorin e Policisë së Kosovës në Stacionin e Graçanicës.

Banorët shqiptarë në këtë komunë besojnë se adresa e aktit vandal të një  dite më parë është zyra e kryetarit, Sergjan Popoviq./M.Avdimetaj/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme