NATO e quan “të hershëm” vendimin e SHBA-së për tërheqjen e trupave nga Afganistani

20:25 | 17 Nëntor 2020
Arbresh.info

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në lidhje me vendimin e SHBA-së për të ulur numrin e trupave në Afganistan, tha se “largimi i hershëm ose i pakoordinuar” mund të ketë kosto të lartë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë mbi këtë çështje, Stoltenberg tha se ai është në kontakt të ngushtë me Shtetet e Bashkuara për misionin e NATO-s në Afganistan.

“Tani po përballemi me një vendim të vështirë”, tha shefi i NATO-s.

“Ne kemi qenë në Afganistan për gati 20 vjet dhe asnjë anëtar i NATO-s nuk dëshiron të qëndrojë më gjatë sesa është e nevojshme. Por në të njëjtën kohë, çmimi i largimit të hershëm ose të pakoordinuar mund të jetë shumë i lartë. Afganistani rrezikon edhe një herë të bëhet platformë ku terroristët ndërkombëtarë mund të planifikojnë dhe organizojnë sulmet e tyre. DAESH-i mund ta rikrijojë në Afganistan shtetin terrorist që e humbi në Siri dhe Irak”, deklaroi Stoltenberg.

Stoltenberg tha se NATO-ja ka zvogëluar ndjeshëm praninë e saj në Afganistan për të mbështetur procesin e paqes në Afganistan.

“Aktualisht, ka më pak se 12 mijë ushtarë të NATO-s në Afganistan. Më shumë se gjysma e tyre nuk janë ushtarë amerikanë. NATO-ja do të vazhdojë të trajnojë, këshillojë dhe ndihmojë forcat afgane të sigurisë, pavarësisht nëse SHBA-ja tërheq ushtarët”, shtoi ai.

Ndryshe, siç është raportuar tashmë, udhëzimi i presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr trupa nga Afganistani dhe Iraku i ka arritur Pentagonit dhe në vijim janë planet në këtë drejtim. Vendimi thuhet se parasheh uljen e trupave në 2.500 në dy vendet dhe që tërheqja të bëhet deri më 15 janar.

SHBA ka 4.500 ushtarë në Afganistan dhe 3.000 në Irak.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme