Jeta vazhdoi pa Ronaldon por Messi është i pazëvendësueshëm; të vjen një herë në jetë – thotë ish-ylli i Real Madridit

08:33 | 17 Nëntor 2020
L G

Derisa beson se jeta në La Liga dhe Spanjë vazhdoi normalisht edhe pas largimit të Cristiano Ronaldos, ish-ylli i Real Madridit dhe Barcelonës, Luis Milla, thotë se superylli argjentinas duhet të qëndrojë patjetër sepse soji i tij nuk do të shihet më në futbollin spanjoll.

Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë e kërkoi largimin nga Barcelona gjatë verës së këtij viti, transmeton Gazeta Express.

I zhgënjyer dhe i tërbuar me mënyrën sesi Barça e përfundoi sezonin 2019/20, 33-vjeçari u tregua i gatshëm për një sfidë të re larg Spanjës.

Barcelona, jo çuditërisht, nuk iu përkul trysnisë së Messit dhe ai u detyrua të qëndrojë për ta nderuar vitin e fundit në marrëveshjen me katalonasit.

Mundësia që ai të largohet në verën e ardhshme mbetet ende e hapur dhe Messi ka të drejtë të bisedojë me cilindo klub qysh në janar.

Milla shpreson se Messi nuk do ta ndjekë rrugën e njëjtë si rivali i vet i përjetshëm, Ronaldo, i cili më 2018 iu bashkua Juventusit, sepse argjentinasi mbetet ylli i padiskutueshëm në futbollin spanjoll dhe do të linte një boshllëk që, sipas Millas, askush nuk do të mundë ta mbushë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme për futbollin spanjoll që Messi qëndroi. Ai është lojtar ambicioz dhe dëshiron të fitojë tituj”, tha Milla për Tribal Football.

“Natyrisht, Cristiano Ronaldo u largua nga La Liga dhe jeta po vazhdon dhe Messi mund të largohet në të ardhmen dhe jeta do të vazhdojë… me lojtarë të tjerë të mëdhenj, por lojtarët si Messi janë thjesht të pazëvendësueshëm, lojtarët janë të pashoq”, shtoi ai.

Të ngjashme