Liburn Aliu zëvendëson Rexhep Selimin, bëhet u.d. i shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosje

12:28 | 15 Nëntor 2020
L G

Deputeti, Liburn Aliu, do ta ushtrojë detyrën e shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur lideri i VV-së, Albin Kurti, përmes një konference për medie.

Ai ka thënë se nuk do zgjedhin kryetar të ri në vend të Rexhep Selimit, por se do presin.

“Tash e tutje grupi parlamentar i LVV-së do të ketë ushtrues detyre deputetin Liburn Aliu, do ta zëvendësojë kryetarin tonë të Grupit parlamentar Rexhep Selimi. Nuk do të zgjedhim kryetar të ri, nuk do të nxitohemi, e kemi kryetarin Selimi. Por funksionalisht detyrën e tij do ta kryejë Liburn Aliu. Dy herë në ditët e fundit kam biseduar me kryetarin e grupit tonë parlamentar Rexhep Selimi”, tha ai në konferencën për media.

Këtë pozitë e mbante Rexhep Selimi, aktakuza e të cilit u konfirmua me 26 tetor 2020, shkruan Reporteri.net.

Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Rexhep Selimin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme