Dy vite më parë GJ.A përderisa ishte duke punuar në vendin e saj të punës pësoi lëndim të rëndë në krahun e saj të majtë.
Sot e asaj dite ajo përveçse nuk është më në gjendje të punojë, nuk po mund ta marrë as kompensimin e dëmit që i është shkaktuar, pavarësisht se deri më tani i ka dërguar pesë kërkesa në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Në një intervistë për arbresh.info, ish-punëtorja e ETC-së tregon se si kishte ardhur deri tek lëndimi i saj.
“Lëndimi më ka ndodhë në vendin e punës, kam punuar në një firmë private në ETC, gjatë lëndimit të punës ka pasë reshje të shiut, domethënë aty ku ka gjithmonë reshje të shiut është sektori i mbushur me ujë edhe unë jam lënduar duke dalë me shërbyer konsumatorin dhe jam rrëzuar në vendin e punës, e kam thyer krahun dhe i kam lënduar tri tetivat dhe këmbën, për shkak të saj kam qenë tre orë pa vetëdije deri sa ka ardhë ndihma e shpejtë dhe më kanë dërguar në spital”, ka rrëfyer ajo.
E sikur të mos mjaftonte lëndimi, ajo pati probleme edhe me kompaninë ku po punonte.
Në spital ajo thotë se është dërguar nga zëvendës menaxheri i firmës, i cili aty ka deklaruar se lëndimi është bërë në rrugë e jo në vend të punës.
“Kur zëvendës menaxheri më ka dërguar në spital, unë kam qenë pa vetëdije deri në katër orë. Kur mi kanë bë kontrollat, në dokument është cekë se kam bërë lëndimin në rrugë dhe nuk e kanë cek se rasti ka ndodhë në vendin e punës”, tha ajo.
Tutje GJ.A ka shtuar se pasi nuk gjeti ndihmë nga kompania, ajo thotë se iu drejtua Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.
“Rastin e kam lajmëruar edhe te kryetari i sindikatës se si firmë nuk ka marrë asnjë masë, unë e kam pasë me kontratë të punës tre muaj me marrë rrogë 100%, e aty më janë paguar vetëm tre muaj 70%. Pas një muaji unë kam kërkuar ndihmë te kryetari i Sindikatës, e pastaj më janë dhënë dy rroga pas tre muajsh”, ka treguar ajo.
Meqenëse nuk u ndihmua nga kompania, ajo tregon se u detyrua të trokasë edhe në derën e Inspektoratit të Punës.
Por kur ishte shkuar aty, ajo mori vetëm injorim nga ky institucion i rëndësishëm për punën.
“Rasti nuk është lajmëruar as në inspektorat të punës e as në polici, me ndihmën e kryetarit unë kam shkuar te inspektorati i punës, që nuk kanë dashtë as me u merr me këtë rast, sepse kanë pas lidhje me firmën, sepse kur kam hy aty, ende pa u prezantu me kanë thënë që tepër je vonë dhe dil jashtë”, tha ajo.
E për mos ofrim të kontratës që në fillim të punës, kompania Elkos, i kishte dhënë asaj një arsyetim banal, kinse e kanë pasur të gatshme në sirtar mirëpo kanë harruar t’ia japin.
“Unë kam punu pa kontratë pune në atë firmë deri në korrik kur jam lëndu, kam qenë pa kontratë punë dhe ashtu janë plot punëtorë. Ndërsa në shtator më kanë ofru kontratë dhe menaxheri është arsyetuar se kontratën e kanë pasë, mirëpo kanë harruar të ma japin. Ata më kanë thënë që mundem me u kthy në vendin e punës, po dëmshpërblim për rastin, ata nuk janë përgjigj për këtë. Më kanë thënë që më takojnë 3 mijë euro, por kur kam shku me i kërku por firma më ka thënë që është një keqkuptim, pasi që ato i takojnë sigurimit të mi jap”, tha ajo.
Tutje ajo vazhdon të tregojë se në kompaninë që dikur punonte nuk i besuan as për kontrollet që i bënte në QKUK, duke e detyruar të shkojë në spital privat, pasi nga ana e tyre mendohej se ajo po manipulonte me dokumente.
“Të gjitha kontrollet që i kam bërë i kam bërë në spital publik, edhe gjatë asaj kohe më është kërku nga firma që kontrollet me i bë në spital privat për shkak se gjoja unë po bëjë manipulime me dokumente edhe më kanë kthyer përgjigje se kinse janë të falsifikuara”, tha ajo.
E për këtë ngjarje arbresh.info ka marrë një prononcim edhe nga kompania ETC.
Fisnik Dema nga kjo kompani thotë se punëtorja e tyre ka pasur kontratë valide dhe po ashtu i janë mbuluar të gjitha shpenzimet e mjekimeve dhe i janë dhënë të gjitha pagat gjatë pushimit mjekësor.
“Në lidhje me punëtoren në fjalë ju informojmë qe kolegia ka pasur kontrate të rregullt valide dhe pasi qe kompania jone te gjithë punëtorëve u paguan sigurimin shëndetësor (SIGMA), atëherë edhe shpenzimet e lëndimit I ka pasur të mbuluara te gjitha që i ka dorëzuar për rimbursim. Punëtores nga kompania I janë paguar pagat gjatë pushimit mjekësor siç e përcakton ligji i punës (20 + 90 dite)”, ka thënë Dema.
Ai po ashtu ka thënë se kanë kërkuar nga GJ.A që ajo të kthehet në punë, mirëpo sipas tij ajo nuk është paraqitur me arsyetimin se nuk është e aftë për punë dhe nuk u ka sjellë asnjë dokument që e vërteton këtë.
“Kolegia është ftuar (verbalisht dhe me poste rekomande) te rikthehet ne punë mirëpo nuk është kthyer me arsyetimin se nuk është e afte për pune, ndërsa kur kemi kërkuar qe te behet një vlerësim I eksperteve mjekësor për aftësinë e punës, ajo me nuk është lajmëruar”, ka thënë Dema.
Ndërsa kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se me ETC janë marrë vesh që dëmi i punëtores të kompensohet, mirëpo për një kohë të shkurtër gjërat kanë ndryshuar dhe ata kanë marrë tjetër vendim.
“Ne kemi komuniku me punëtoren dhe kemi marrë veprime si Sindikate, kemi shkuar në piken ku ka ndodhë rasti dhe kemi biseduar me menaxher. Kemi ndërhy menihere, kam shku në qendër të ETC në Pejë, dhe kemi diskutuar se si punëtorja të kthehet në punë, kemi bë marrëveshje që ajo të kompensohet. Momentin kur kanë shkuar atje kanë ndryshuar gjanat, sepse kompania ka dyshuar në kontrollet në QKUK. Tani lënda ka shku në Gjykatë, besoj që kompensimi duhet të jetë trefish më i madh”, tha ai.
Ish-punëtorja e ETC. GJ.A, u lëndua në korrik të vitit 2018 dhe ka kohë që nuk është në gjendje të punojë.
Në vendin tonë ka pasur edhe më parë raste të tilla të lëndimit në vendin e punës, e madje edhe të humbjes së jetës, e tërë kjo për shkak të kushteve jo të favorshme të ambientit të punës./E.Haxhiu/arbresh.info/
Tayna lanson projektin e ri muzikor “Obsesion”
Ndërron jetë papritmas Aulon Grabovci, nipi i politikanit të...
Ndeshja mes Francës dhe Izraelit u ndoq nga numri më i vogël...
Komuna e Vushtrrisë ndalon përdorimin e doracakëve “Edukimi ...
Kim Jong Un urdhëron “prodhim masiv” të dronëve sulmues
Komuna e Prishtinës dënon shkatërrimin e pishave rreth Teatr...