Bota flet për vaksinën anti-Covid, Kosova ende nuk e ka atë të gripit sezonal

09:16 | 15 Nëntor 2020
L G

Tash e tetë muaj Kosova po përballet me pandeminë Covid-19, e përveç kësaj në sezonin e dimrit përballemi edhe me gripin sezonal.

Por, edhe pse gjendemi në këtë situatë Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka arritur të sigurojë vaksinat kundër gripit sezonal.

E, për këtë çështje nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë informuar nga UNICEF që do të vijnë në mesin e muajit nëntor.

“Në mesë të nëntorit vijnë vaksinat, dhe fillon vaksinimi. Jemi informuar prej UNICEF-it që më vonë vijnë vaksinat”, kanë thënë për arbresh.info nga MSh-ja.

Qendrat e mjekësisë familjare vazhdojnë të jenë të shqetësuara me këtë gjendje.

Sami Uka, kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, thotë se, po i afrohemi dhjetorit dhe vonesa e vaksinës kundër gripit sezonal është skandaloze.

Sipas tij, ka qenë e qartë që Covid-19 do të jetë mes nesh të paktën për një vit, prandaj ka qenë përgjegjësi e institucioneve përgjegjëse që të sigurohet vaksina në fillim të muajit tetor.

“Sa i përket vaksinës kundër gripit sezonal kjo është skandaloze shumë më tepër sesa që po perceptohet dhe paraqitet. Prej fillimit ka qenë e qartë që COVID-19 do të jetë mes nesh të paktën për një vit – po del që do të jetë edhe më gjatë – dhe ka qenë minimumi i përgjegjësisë se institucioneve përgjegjëse që të sigurohet vaksina kundër gripit sezonal me kohë d.t.th. jo më larg se fillimi i tetorit”, tha ai.

Uka thotë se, në letër po qëndrojnë pezull premtimet e zyrtareve përgjegjës që sivjet do të kemi më shumë vaksina se cilindo vit më parë.

“Ne tash po i afrohemi dhjetorit dhe vaksina kundër gripit sezonal nuk është askund por në letër qëndrojnë pezull premtimet e zyrtareve përgjegjës – filluar nga ministri e poshtë – që sivjet do të kemi më shumë vaksina se cilindo vit më parë. Kur me terë këtë komunitet donatoresh (UNICEF-i ka ndihmuar vazhdimisht) nuk arrihet të sigurohet minimumi i domosdoshëm i vaksinave me kohë mund ta marrim me mend se çfarë dhe si do të sigurohet në të ardhmen kur donatorët do të kenë preokupime të tjera”, dekalaron Uka.

Ndryshe, në Kosovë janë siguruar 165 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, që tashmë i ka marrë Qeveria e Kosovës.

Ato janë siguruar përmes Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara UNICEF, derisa Ministria e Shëndetësisë i ka paguar ato.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë vitit 2019 kanë qenë 16,000 raste të regjistruara me grip sezonal.

Viti 2018, ishte përmbyllur me 11 persona të vdekur nga gripi sezonal, ku autoritetet kishin shpallur atëkohë gjendjen epidemike të gripit.

Derisa për vitin 2019 nuk kanë të dhëna për vdekje të personave me grip sezonal./A.Zeka/arbresh.info/

Të ngjashme