Kosova pa “Zot” shtëpie

08:11 | 15 Nëntor 2020
L G

Po cilësohet si periudha më e errët për Kosovën që nga paslufta. E deri te kjo mund të vihet vetëm kur një vend mbetet pa “Zot” shtëpie, pa atë që do t’i vendoste gjërat në vendin e duhur.

Problemeve politike ju shtua pandemia, e së fundi edhe Gjykata Speciale.

“Duke i pas krejt këto parasysh që po e rëndojnë situatën edhe përçarjet e Qeverisë për interesa klanore e partiake, atëherë mundemi me thanë që Kosova s’ka

‘Zot’ shtëpie apo Kosova i ka disa njerëz që pretendojnë mu bë ‘Zot’ shtëpie duke penguar tjetrin me u bë. Ma e keqja është se në raport me Serbinë nuk është kurrqysh”, vlerëson analisti Faton Abdullahu.

Sipas tij, për këtë situatë institucionet e Kosovës duhet të konsultohen me Washingtonin zyrtarë.

“Ne po jemi keq, pasi një pjesë po orientohet kah Brukseli, e një pjesë nga Uashingtoni dhe s’do të duhej të jetë kështu”, tha tutje ai.

Sipas tij, figurave politike në Kosovë nuk po ju mungon konsultimi me ambasadorët, por jo për të mirë të vendit.

“S’ shkojnë si institucione, por si klane, si parti për të akuzuar njëri-tjetrin. S’ kanë faj ndërkombëtarët, por ne që s’ dimë mu koordinua në mes veti”, deklaroi Abdullahu.

Çështja tjetër që po i jep vulë termit se vendi ka mbetur pa ‘Zot’ shtëpie është edhe ndikimi i autoritetit në vendet me shumicë serbe nga institucionet e vendit.
Allen Meta nga Demokracia për Zhvillim, thotë se ndonëse shtrirja e autoritetit në veri nga Qeveria është mjaft e rëndësishme kjo po mbahet peng i dialogut.

“Kosova tash e një kohë të gjatë është duke stagnuar që të shtrijë autoritetin e plotë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Edhe pse përmes marrëveshjeve të arritura në BE, pjesa veriore e Kosovës ka arritur të integrohet, përkatësisht në disa fusha të saj, mirëpo ende ka punë për tu bërë për një integrim të plotë. Është shumë e rëndësishme që institucionet e Kosovës të ushtrojnë fuqinë e tyre edhe në veri, mirëpo kjo ende mbetet peng i dialogut me Serbinë, përkundër përpjekjeve të brendshme politike, përkatësisht atyre institucionale”, tha Meta.

E kjo pjesë e vendit duket se tashmë do të mbetet anash kur e dimë faktin se vendi po përballet me një zhvillim negativ në skenën politike.
Ngritja e aktakuzave nga Dhomat e Specializuara, duket se i ka gjetur institucionet e papërgatitura thotë Meta.

“Duke qenë se Presidentit Thaçi i është ngritura aktakuza nga Gjykata Speciale, tashmë këtë pozitë për një periudhë 6 mujore do ta ketë znj. Vjosa Osmani, e cila i ka të gjitha kompetencat e plota për këtë post. Si e tillë znj. Osmani tashmë mundet të veprojë në bazë të kompetencave kushtetuese që i takojnë”, deklaroi tutje ai.

E ndonëse barra për të ushtruar detyrën e të parit të vendit i ka rënë kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ai që ka rolin kyç për unifikim për të dalë nga kjo situatë përmes një konsensusi me partitë politike është i pari i ekzekutivit, Avdullah Hoti. /V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme