PD ngre shqetësimin: Shkollat vatra të infeksionit

14:30 | 14 Nëntor 2020
Arbresh.info

Partia Demokratike deklaroi me shqetësim të shtunën se shkollat fillore dhe të mesme janë shndërruar në “vatra të rrezikshme infeksioni”, të cilat kanë sjellë “humbjen e jetës së 10 mësuesve ndërsa qindra të tjerë janë infektuar”.

Ish-deputetja Albana Vokshi deklaroi se qeveria nuk ka siguruar as kushtet minimale në shkolla.

“Me keqardhje konstatojmë që vetëm 2 ditën e fundit, të tjerë mësues kanë humbur betejën me virusin COVID 19. […] Janë 10 mësues që nga fillimi i vitit shkollor që janë ndarë nga jeta pikërisht për shkak të COVID19, por ata janë trajtuar vetëm si statistika nga qeveria,” – deklaroi Vokshi duke përcjellë keqardhjen e PD-së për situatën e krijuar.

Duke iu referuar edhe raportimeve në media, demokratët përmblodhën në deklaratën e tyre për shtyp se:

Në të gjithë vendin janë rreth 600 mësues të prekur dhe mbi 1300 nxënës;

Në shkollat në Tiranë: në dy ditët e fundit janë 280 nxënës, rreth 120 mësues të prekur

Në Korçë janë mbi 100 mësues të prekur

Vetëm në 3 shkolla në Lezhë janë 20 mësues;

Vokshi përmendi alokimin e papërgjegjshëm të fondeve për projekte të rëndësisë dytësore nën pandemi, sikurse është projekti i Bashkisë Tiranë që kërkon 36 milionë euro për Teatrin e ri Kombëtar. PD i cilësoi si qasje abuzive të qeverisë në një situatë “alarmante” që po kalojnë mësuesit, njofton euronews.albania.

“Kryeministri në ikje po jep dhjetëra miliona euro për projekte korrupsioni, siç është ai i Teatrit me kulla, por nuk jep asnjë qindarkë për të rritur sigurinë në shkolla apo për të ndihmuar mësuesit e prekur nga virusi i rrezikshëm,” – u shpreh Vokshi duke kërkuar mbylljen e shkollave që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, testime masive të stafit pedagogjik, dezinfektime periodike të mjediseve shkollore, mbulim të shpenzimeve për kurim të mësuesve dhe sigurimi i logjistikës për kalimin në mësim në distancë.

Ndër të tjera demokratët kanë kërkuar paketë mbështetëse për mësuesit me shpërblime mujore 100-150 euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme