Google ADS

Regjistrohen mbi 44 mijë raste të reja me koronavirus në Indi

12:25 | 14 Nëntor 2020
Arbresh.info

India gjatë 24 orëve të fundit ka regjistruar 44.684 raste të tjera të koronavirusit të ri (COVID-19), duke e çuar në mbi 8.77 milionë numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga ky virus në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, vendi po ashtu ka regjistruar 520 vdekje të reja nga pandemia, me çka numri i viktimave ka shkuar në mbi 129 mijë.

Rastet aktive me COVID-19 në Indi aktualisht janë 480.719, ndërsa numri i të shëruarve është mbi 8 milionë apo 93,05 për qind nga numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus.

Përderisa India aktualisht është vendi i dytë më i prekur në botë për nga numri i rasteve, infeksionet ditore ngadalë po shënojnë ulje, përveç në disa qytete ku rastet kanë filluar të rriten.

Kryeqyteti New Delhi, i cili po përballet me ndotjen e ajrit, që nga mesi i tetorit ka parë një rritje të rasteve të koronavirusit, me zyrtarët që thonë se qyteti po shënon një kulm të tretë të virusit. Në fillim të kësaj jave, kryeqyteti regjistroi një kulm prej mbi 8 mijë rastesh të reja.

Kryeministri i New Delhit, Arvind Kejriwal, dje identifikoi ndotjen si një nga “faktorët më të mëdhenj” për rritjen e rasteve COVID-19 dhe shprehu shpresë se situata do të vendoset nën kontroll brenda shtatë deri në dhjetë ditët e ardhshme.

India sot feston festivalin Hindu Diwali, gjë e cila ngrit frikën se përdorimi i fishekzjarreve gjatë festivalit do të rris nivelin e ndotjes duke i vendosur kështu njerëzit në rrezik më të lartë nga koronavirusi. Disa qytete kanë ndaluar përdorimin e fishekzjarreve gjatë festivalit në funksion të ndotjes dhe pandemisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme