Google ADS

E nisën ndaras, por Specialja do t’i gjykojë së bashku komandantët

08:30 | 14 Nëntor 2020
Arbresh.info

Ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi ndajnë aktakuzën e njëjtë nga Dhomat e Specializuara.

Ata akuzohen për përndjekje, krim kundër njerëzimit, burgosje, arrestim dhe ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, zhdukje e personave me forcë etj.

Ndonëse, seancat fillestare i mbajtën ndaras, është në dorën e trupës gjykuese për të përcaktuar nëse do të ketë veçim të akuzave, shkruan arbresh.info.

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës, në një përgjigje për portalin arbresh.info bëri të ditur se procedimet zhvillohen bashkërisht kundër të katërve.

“Një aktakuzë e vetme është lëshuar për të katër të akuzuarit dhe procedimet zhvillohen bashkërisht kundër të katërve. Të gjitha çështjet në lidhje me zhvillimin e procedimeve, duke përfshirë vendimet mbi kërkesat për veçimin e akuzave kundër më shumë se një të akuzuari, do të vendosen nga gjykatësi i procedurës paraprake dhe/ose trupi gjykues”, ka thënë Griep në një përgjigje për portalin arbresh.info.

Lidhur me paraqitjen e parë, Angela Griep shtoi se gjykatësi i procedurës paraprake caktoi paraqitjen e të akuzuarve veç e veç, duke pasur parasysh kohën e mbërritjes së tyre në Hagë dhe preferencat e avokatëve të tyre.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve juridike, Musa Damati, tha se tani gjykatësi i procedurës pranë Dhomave të Specializuara duhet të vendos për masën e paraburgimit, vazhdimin apo ndërprerjen e saj.

Ai tha se kjo duhet të vendoset për të katërtit.

“Pas paraqitjes së parë tani gjykatësi i procedurës paraprake pranë dhomave të specializuara duhet të vendos për masën e paraburgimit, vazhdimin apo ndërprerjen e saj për z. Kadri Veselin, z. Thaçin dhe të tjerët, dhe kjo mund të ndodhë edhe para mbajtjes sa seancës apo konferencës së radhës”, tha juristi Damati.

Musa Damati e konsideron këtë gjykatë si jo profesionale dhe proceduralisht pa mandat.

“Gjykata Speciale është jo profesionale dhe proceduralisht pa mandat, juridiksioni i saj duhet të rishikohet për arsye se bazuar në dispozitat relevante ligjore afati i saj kohorë ka skaduar dhe lidhur me këtë fakt avokatët duhet t’i ngrisin mocionet e tyre për të kundërshtuar juridiksionin e saj”, thotë ai.

E mënyrën si kjo gjykatë i bastisi shtëpitë e të akuzuarve dhe i arrestoi ata, Damati i cilëson si spektakël të tepruar.

“Ajo se çka mund të konsiderohet po ashtu proporcionalisht joprofesionale nga procedimet e dhomave të specializuara, është spektakli i tepruar me rastin e ndërmarrjes së veprimeve procedurale dhe operacionale në kryerjen e funksionit të saj”, tha ai.

Kujtojmë se katër eprorët e UÇK-së kanë përfunduar seancat e tyre fillestare ku janë deklaruar si të pafajshëm për të gjitha aktakuzat që janë ngritur drejt tyre./M.Avdimetaj/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme