Google ADS

Kaosi institucional mund të nxjerrë një President të “zarfit”

08:21 | 14 Nëntor 2020
Arbresh.info

Me 80 vota ‘për’ Kuvendi i Kosovës, më 7 prill të vitit 2011, kishte zgjedhur ish-zëvendësdrejtoren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjagën, në postin e presidentes.

Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit. Për  kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, përderisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.

Por, situatë e ngjashme e pakënaqësive brenda partive politike në lidhje me emrin presidentit po ndodhë edhe tani, që mund të sjellë në këtë pozitë ndonjë figurë krejt të panjohur deri më tani, shkruan arbresh.info.

Profesori, Milazim Krasniqi, thotë se partitë politike në këto momente nuk janë të gatshme të kërkojnë, por as të gjejnë një zgjidhje për këtë situatë.

Pavarësisht kësaj, Krasniqi vlerëson se më afër kanë zgjedhjet se sa një president i “zarfit”.

“Nga sjelljet që po shohim partitë tona politike nuk janë të gatshëm të kërkojnë e lërë më të gjejnë një zgjidhje të përshtatshëm jo veç president, por për boshllëkun në vend. Unë mendoj se zgjedhjet janë të pashmangshme në këtë situatë se sa, që do të ketë zgjedhje prej zarfit”.

Ai shprehet i zhgënjyer me mos koordinimin ende të një tryeze të përbashkët partiake për të dalë nga kjo gjendje e jashtëzakonshme.

Fajtor për mos konsensus për zgjidhje Krasniqi e bënë edhe pozitën edhe opozitën.

“Në momentin që partitë s’janë të gatshme të organizojnë një tryezë, në të cilën do të hartonin një agjendë politike edhe për zgjedhjen e presidentit edhe për zgjedhjet  ardhshëm i bije që e kanë lëshuar me ramje të lirë me ec proceset dhe pastaj me shkua në zgjedhje të jashtëzakonshme”, vlerëson Krasniqi.

Analisti, Shkodran Ramadani, thotë se koha kur në krye të shtetit erdhi një grua e panjohur deri në ato çaste, por e shtyrë nga ndërkombëtarët tashmë ka kaluar.

Sipas Ramadanit, varianti “Presidenti nga zarfi”, do të jetë i fundit, pasi të shtjerrën të gjitha mundësitë.

“Unë nuk besoj që do të këtë President të zarfit ndoshta do të jetë varianti i tretë, në rast se dështon një marrëveshje mes partive, pastaj nëse dështon presidenti konsensual si emri i Murat Jasharit, dhe pastaj mund të vije në pyetje një President nga jashtë pra nga zarfi”, shprehet Ramadani.

Kujtojmë se me 5 nëntor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara.

Dhomat e Specializuara në Hagë apo siç njihet Gjykata Speciale i konfirmuan aktakuzën edhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit, dhe deputetit, Rexhep Selimi.

Të njëjtën ditë, më 5 nëntor, në krye të presidencës është vendosur, Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës si ushtruese detyre./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme