Google ADS

Murtezaj: Deklarimet e Vuçiq duhej të ishin sinjal i qartë për BE-në

21:01 | 13 Nëntor 2020
Arbresh.info

Profesori i negocimit ndërkombëtar dhe diplomacisë, Valon Murtezaj, ka thënë se deklarimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq do të duhej të ishin një sinjal i qartë për Bashkimin Evropian.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka theksuar se është për të ardhur keq se si një lidership i shtetit serb nuk po mundet të shkëputet nga mësimet e marra nga të jetuarit në luftë.

“Nuk janë deklarime të reja – përkundrazi janë deklarime që i dëgjojmë në Kosovë dhe në rajon që tri dekada dhe ndoshta për të gjithë ne që kemi jetuar në kohërat e luftës kjo është diçka aspak e re sepse janë protagonistë [Serbia] të situatës që kanë shkaktuar shumë tragjedi në gjithë Jugosllavinë dhe në Kosovë”.

“Është për të ardhur keq se si një lidership i shtetit serb që pretendon se është për paqe në rajon dhe merr pjesë në mënyrë simbolike në procesin e dialogut, nuk po mundet të shkëputet nga mësimet e marra nga të jetuarit në luftë”.

“Ndoshta kjo për ne shqiptarët nuk është aspak befasi; mirëpo kjo do të duhej të ishte një sinjal akoma më i qartë për Bashkimin Evropian”.

“Destruktiviteti i Serbisë i viteve të 90-ta edhe sot e rrit potencialin për destabilitet dhe për të dëmtuar përpjekjet për paqe në Ballkanin Perëndimor”.

Murtezaj ka shtuar se këto deklarime të Vuçiq janë në nivelin e retorikës boshe. Sipas tij, është një lloj i shpërfaqjes së fjalorit populist që është i dëmshëm”

“Nga ana e Serbisë, do të duhej pranimi i fajësisë dhe kërkim falja, ky është gjesti i parë. Kur flasim për dialogun, nuk mund të pritet progres pa këto dy gjëra. Ky është hapi i parë e pastaj është negocimi dhe bisedat – këtë ne nuk po e shohim”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme