Google ADS

Inspektorati kërkon suspendimin e shtatë policëve

20:15 | 13 Nëntor 2020
Arbresh.info

Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar që të suspendohen shtatë zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

IPK ka filluar procedurën hetimore në muajin shtator të këtij viti ndaj të dyshuarve (zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës – Stacioni Policor i Gjakovës).

Hetimi fillimisht kishte filluar me dyshimin për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” lidhur me një incident që kishte ndodhur më 13 shtator 2020.
IPK ka qenë duke e hetuar në këtë rast rrethanat e përdorimit të armës së zjarrit nga një zyrtar policor me dyshimin se me rastin e gjuajtjes me armë zjarri ndaj një motoçiklisti në lëvizje (person i dyshuar) janë tejkaluar autorizimet e tij për përdorimin e armës zyrtare.

Sidoqoftë, gjatë hetimit të këtij rasti, hetuesit e IPK-së kanë zbuluar prova shtesë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autorizimeve zyrtare edhe nga disa zyrtarë policorë (fshehje e dëshmive dhe informacioneve lidhur me rastin e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm).

Duke ju referuar autorizimeve ligjore të IPK-së, në interes të procedurës hetimore, IPK ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e shtatë punonjësve të Policisë së Kosovës si të dyshuar në këtë rast ( një major – U.D komandanti i stacionit policor të Gjakovës, një toger policor, katër zyrtarë policorë dhe një pjesëtar i stafit civil të PK-së).

Hetuesit në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme