Deri gjashtë mijë euro gjobë për ata që hyjnë pa test PCR në Spanjë

16:21 | 13 Nëntor 2020
Arbresh.info

Qeveria e koalicionit të majtë në Spanjë njoftoi se mund të gjobiten deri në 6 mijë euro personat që vijnë nga “vendet e rrezikuara” pa bërë testin PCR i cili është i detyrueshëm në kuadrin e luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja spanjolle e Punëve të Jashtme, Arancha Gonzalez Laya, në një deklaratë për shtyp tha se e kanë bërë të detyrueshëm testin PCR për ata që vijnë nga vendet e rrezikuara.

“Këto janë gjoba serioze dhe parandaluese”, tha Laya duke njoftuar se mund të gjobiten deri në 6 mijë euro personat që vijnë në Spanjë pa dokumentin që tregon rezultatin negativ të testit PCR.

“Nga 5 milionë e 200 mijë njerëz që kanë hyrë në Spanjë që nga korriku, janë zbuluar se 4.800 prej tyre janë të prekur me virusin dhe se qarkullimi ndërkombëtar përbën vetëm 8 në një mijë të importeve të COVID-19”, tha Laya.

Ministrja Laya shtoi se “Pavarësisht se shifrat për momentin tregojnë se nuk ka ndonjë problem, është e nevojshme që të garantojmë që ato nuk do të përbëjnë problem edhe në të ardhmen. Masat synojnë të krijojnë besim dhe të hapin hapësira gradualisht për lëvizje të lirë e të sigurt”.

Në kuadër të vendimit i cili është publikuar sot në ‘Gazetën zyrtare’ dhe i cili hyn në fuqi më 23 nëntor, thuhet se pasagjerët që udhëtojnë me rrugë ajrore ose detare në Spanjë dhe të cilët ndodhen në listën e “vendeve të rrezikuara” ku përfshihen 65 vende si SHBA, Gjermania, Franca, Belgjika dhe Turqia, janë të detyruar që të paraqesin dokumentin me rezultatin negativ të testit PCR që është kryer 72 orë para hyrjes në vend.

Në listën e përgatitur nga Qendra Evropiane dhe Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe e cila përditësohet një herë në 15 ditë, “vend i rrezikshëm” vlerësohen vendet ku shifra e rasteve është mbi 150 për çdo 100 mijë persona.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme