Ibrahimi dëshmoi në gjykatë: Ja përse e këndova himnin kombëtar më 27 prill

15:55 | 13 Nëntor 2020
Arbresh.info

Zekirija Ibrahimi, ish-deputeti i Lëvizjes BESA që tani është sekretar për marrëdhënie me publikun i partisë Alternativa sot ka dëshmuar në gjykatën penale në Shkup lidhur me ngjarjet e 27 prillit të 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Ai ka sqaruar se përse kishte kënduar himnin kombëtar shqiptar në sallën e Kuvendit, në kohën kur situata veçmë kishte filluar të tensionohet brenda dhe jashtë Kuvendit.

“Ishte vendim i imi personal për të kënduar himnin shqiptar dhe kjo nuk kishte të bënte me shkeljen e Rregullores, sepse unë si zëvendës koordinator i grupit parlamentar kam pasur të drejt për fjalim sipas procedures”, theksoi sot në gjykatë, ish-deputeti Ibrahimi.

Ai ka treguar se çfarë kishte ndodhur atë ditë dhe se si zëvendës koordinator ka pasur takim me ish kryeparlamentarin Trajko Veljanovski, ku e pranishme ka qenë edhe Radmilla Sheqerinska e LSDM-së. Sipas tij, në takim janë marrë vesh që séanca e Kuvendit të vazhdon ditën tjetër, të premten më 28 prill.

“Në seancën e Kuvendit më pas deputetët e VMRO-DPMNE kishin vërejtje ndaj deputetëve të LSDM se po bashkëpunojnë me një parti që nuk ndjehet mirë me himnin shtetëror. Kur Krsto Mukovski i VMRO-së këndoi himnin maqedona, unë dola dhe e këndova himnin shqiptar. Por ky ishte një vendim i imi personal”, nënvizoi Ibrahimi.

Ai më tej ka shtuar se kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në një intervistë për një televizion para ngjarjeve në Kuvend kishte deklaruar se shqiptarët nuk ndjehen mirë kur dëgjojnë himnin shtetëror.

“Ai e kishte thënë këtë se shqiptarët nuk ndjehen mirë, ndërsa unë që i kam shkruar fjalimet e tij, ai duhej të thoshte se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në himnin e shtetit”, ka dëshmuar përfaqësuesi i lartë i Alternativës.

Ibrahimi është thirrur si dëshmitar me kërkesë të akuzuarit Trajko Veljanovski.
Në këtë rast si organizator të ngjarjeve të 27 prillit janë të ngarkuar me akuza kryeparlamentari Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristovski, Mile Janakievski, Vlladimir Atanasovski, por edhe Nikolla Gruevski që është në arrati./INA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme