Marrëveshja e Dejtonit, e nënshkruar në vitin 1995, mundësoi ndërprerjen e luftimeve në Bosnjë-Hercegovinë. Ajo ka shërbyer 25 vjet të tëra si kornizë politike për këtë shtet. Por qëkurse u arrit kjo Marrëveshje ishte e kuptueshme, që ajo nuk do të mund të ishte një dokument që do të mundësonte stabilitet të përhershëm.
Në praktikë kjo do të thotë se serbët e Bosnjë-Hercegovinës nuk do të dakordoheshin me asnjë rregull, i cili – sipas tyre – do të cenonte shtet-formimin që e kanë fituar ata me marrëveshjen e Dejtonit.
Kjo do të thotë po ashtu që popujt konstitutivë me këtë Marrëveshje i kanë forcuar edhe mekanizmat për mbrojtjen e interesave të tyre nacionale. Ndaj këto grupe nuk e kanë aspak ndërmend të ndryshojnë raportet e tanishme të pushtetit, sepse kjo ju mundëson realizimin e interesave të tyre.
Mungesa e perspektivës evropiane
Por në fakt, bosët në Sarajevë apo Banjalukë nuk duan të heqin dorë nga pozicionet e tanishme, vetëm për të mirën e popullit apo të rajonit, ku vendet mafioze nuk janë aq të rralla.
Një prej shkaqeve: BE ua ka marrë atyre nga dora instrumentin më të rëndësishëm për nxitjen e ndryshimeve në Ballkanin Perëndimor. BE e ka mbyllur praktikisht derën për anëtarësime të reja në këtë organizëm.
Në vend të saj, BE, organizatat ndërkombëtare dhe NGO, kanë humbur një të katërtën e shekullit me parulla politike për integrimet evropiane të rajonit, ndonëse integrimi nuk ka pasur asnjë shans që të bëhet realizohet me vepra konkrete.
Rruga më premtuese për të shkuar përpara është t’i shohësh pak më globalisht gjërat dhe të përqendrohesh në programe specifike për të nxitur rritjen ekonomike dhe integrimin rajonal.
Njerëzit kanë nevojë për punë të denjë dhe të rinjve u duhen arsye të mira për të qëndruar në vendet e tyre dhe për të mos emigruar. Mbi të gjitha, prosperiteti dhe stabiliteti shpesh shkojnë krah për krah. Nëse do të kishte më shumë mundësi për të fituar para, atëherë mbase panorama politike mund të përmirësohej gjithashtu.
Shtetet autoritare nuk duhet të kenë hapësirë
Ashtu si në vitet 1990 edhe tani SHBA dhe BE duhet të bashkëpunojnë për më shumë rritje ekonomike dhe demokraci në këto vende. Presidenti i zgjedhur i SHBA, Joe Biden ka bërë të ditur në verë, se partneriteti evropiano-amerikan është i domosdshëm për të arritur synimet e përbashkëta.
BE dhe SHBA ndajnë të njëjtat vlera dhe duhet të punojnë së bashku në mënyrë që Ballkani të mos drejtohet nga influenca e Rusisë, Kinës apo dhe Turqisë, të cilët luajnë me rregulla më të ndryshme se ne. Ato jetojnë dhe mendojnë në një univers alternativ.
Vendet perëndimore janë demokraci, që bazohen tek partneriteti dhe transparenca. Ndërsa shtetet autokratike në lindje e shohin botën si një arenë dyluftimi për realizimin e qëllimeve të veta. Ato nuk kërkojnë partnerë, por klientë ose satelitë të tyre.
Madje edhe Jelcini në vitet 1990-të thoshte se Rusia kurrë nuk ka hequr dorë nga interesat e veta dhe influenca në Ballkan. Kjo tendencë ka vazhduar dhe është forcuar shumë në kohën e sundimit agresiv të Putinit, në radhë të parë në Serbi, por jo vetëm atje.
Kina nga ana e saj po përpiqet të forcojë influencën ekonomike. Ajo ka filluar projekte të mëdha infrastrukturore në Greqi, Hungari, Serbi dhe vende të tjera.
Më shumë mirëbesim
Për të kufizuar influencën e Rusisë dhe Kinës, SHBA dhe BE duhet të bashkëpunojnë mes tyre. Ato duhet të hartojnë synime të përbashkëta. Administrata e Trumpit ka nisur iniciativën për forcimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk ka shenja se administrata e Bidenit do të heqë dorë nga këto qëllime.
Miqtë tanë evropianë nuk duhet të shqetësohen nga këto përpjekje, por duhet t’i mbështesin ato. Ngjashëm do të mendojë edhe administrata e re në Uashington, me qëllim që të fillojnë atje projekte të mëdha infrastrukturore dhe të nxitet rritja ekonomike. Përfaqësuesit e BE dhe Gjermanisë duhet të jenë pjesë e projekteve që zvogëlojnë influencën e Rusisë, e kjo është në interesin e të gjithë Përëndimit.
Fillimi i ri si shans
Në Uashington do të ketë një qeveri të re, me të cilën evropianët duhet të bashkëpunojnë në katër vitet e ardhshme. Mendohet se do të ketë një rikthim tek vlerat dhe format e etabluara të bashkëpunimit, që vlen edhe për gjendjen në Ballkan.
Biden e njeh shumë mirë këtë rajon. Ai e ka vizituar Sarajevën që në vitin 1993, gjatë kohës së rrethimit dhe bombardimeve. Ai pati hartuar një raport të gjatë ku dënonte agresionin serb atje dhe mbështeste viktimat. Djali i tij, i cili ndërkohë ka ndërruar jetë, Beau Biden ka punuar në Kosovë në periudhën 1998-99 dhe ka ndihmuar përgatitjen e gjykatësve dhe prokurorëve atje.
Gjatë fushatës Joe Biden ka folur edhe për raportet me Bosnjë-Hercegovinën, Shqipërinë dhe Kosovën, që është një gjë shumë e rrallë në fushatat për president të SHBA-së. Biden ka theksuar shpesh përkushtimin ndaj multilateralizmit dhe NATO-s.
Një harmoni të plotë mes Uashingtonit dhe partnerëve evropianë nuk ka pasur kurrë dhe nuk do të ketë. Por qeveria e re do të ketë një qasje të re në raportet me partnerët e saj, ndryshe nga ato të katër viteve të fundit. Bideni ka sinjalizuar gatishmëri për partneritet dhe angazhim në Evropë. Miqtë tanë evropianë duhet ta shfrytëzojnë këtë moment./dw
Historiani Patrick Moore ka qenë në periudhën prej vitit 1977-2008 Senior Balkan-Analyst i Radio Free Europe Research në Mynih dhe Pragë.
Trump do t’i ndëshkojë ‘rëndë’ policët që refuzojnë t’i dëbo...
Konflikti Izrael-Hezbollah/ Kryeministri i Libanit shpreson ...
Mbërrin droni i parë në shtëpi, ja për cilin banor është
Viktima e tretë e atentatit në Shkodër kishte raportuar në p...
Kurti: Është koha që Kosova ta marrë statusin e kandidatit t...
Atentat në Shqipëri, ndërron jetë në spital djali i ish-kand...