Google ADS

Australia do të hetojë ushtarët e akuzuar për krime lufte në Afganistan

11:02 | 12 Nëntor 2020
Arbresh.info

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison ka bërë të ditur se vendi i tij do të ndjekë penalisht ushtarët e saj për pretendimet e krimeve të luftës të kryera në Afganistan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raporton ABC News, kryeministri Morrison tha se ka një numër të konsiderueshëm incidentesh dhe çështjesh për t’u hetuar si dhe theksoi se hetimi në thelb do të jetë i ndërlikuar.

“Zyra e hetuesit special do të trajtojë çështjet penale të bëra në raportin e Inspektorit të Përgjithshëm dhe do të hetojë ato pretendime, do të mbledhë prova dhe nëse është e përshtatshme do t’i referojë përmbledhjet për shqyrtim drejtorit të Prokurorive Publike”, tha Morrison.

Roli i pretenduar i ushtarëve australianë në krimet e luftës kundër afganëve doli në pah pasi Korporata Transmetuese e Australisë (ABC) lëshoi një seri dosjesh të ashtuquajtura “Dosjet Afgane” mbi çështjet e vitit 2017.

Dosjet afgane akuzuan trupat australiane për vrasje të civilëve në Afganistan dhe këto zbulime tronditëse çuan në bastisjet policore të vitit të kaluar në selinë e ABC-së në Sydney.

Rrëfimet nga gazetarët investigativë të ABC-së, Dan Oakes dhe Sam Clark, që bazoheshin në qindra faqe të dokumenteve të fshehta të mbrojtjes, zbuluan akuzat për vrasje të paligjshme dhe sjellje të keqe nga forcat speciale australiane.

Roli i Australisë në Afganistan daton që nga viti 2001 ndërsa edhe sot vazhdon të sigurojë mbështetje ushtarake për “aktivitete të këshillimit, operacionit dhe rindërtimit” në vendin e shkatërruar nga lufta.

Një raport përfundimtar nga Inspektori i Përgjithshëm i Forcës së Mbrojtjes së Australisë, që shqyrton sjelljen e forcave australiane midis viteve 2005 dhe 2016, së fundmi iu dorëzua qeverisë.

Përveç dorëzimit të çështjes prokurorit publik, qeveria australiane do të krijojë një “panel mbikëqyrës” për të siguruar “zbatimin e rekomandimeve të tjera nga raporti”.

“Duke pasur parasysh pretendimet e mundshme të sjelljes serioze dhe ndoshta kriminale, çështjet e ngritura në hetim duhet të vlerësohen, hetohen dhe kur pretendimet të vërtetohen, ato të ndiqen penalisht në gjykatë”, tha Morrison.

Ministrja australiane e Mbrojtjes, Linda Reynolds, nuk përjashtoi heqjen e medaljeve të ushtarëve të akuzuar nëse pretendimet zbulohen si të vërteta.

“Ka shumë mundësi dhe rekomandime për veprim”, tha Reynolds.

Shefi australian i Mbrojtjes, Angus Campbell, ende nuk është prononcuar për këtë çështje, ndërsa javën e kaluar tha se “do të flasë për zbulimet kyçe pasi t’i ketë lexuar dhe pasqyruar në raport”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme