Trepça vazhdon me fitore, mund Vëllaznimin në Gjakovë

22:00 | 11 Nëntor 2020
A. B.

Trepça ka shënuar fitoren e dytë radhazi në Prince Caffe Superligë. Mitrovicasit kanë shënuar fitore ndaj Vëllaznimit në udhëtim 76:80 (17:22, 23:17, 19:20, 17:21), në kuadër të xhiros së katërt.

Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë dhe kishin epërsi konstante, duke përmbyllur çerekun e parë në të mirë të tyre me rezultat 17:22.

Megjithatë, në periudhën e dytë vendasit kundërpërgjigjen me të njëjtën monedhë, duke fituar 23:17, për të shkuar në pushim me rezultat 40:39.

Në periodën e tretë, mitrovicasit e fillojnë më mirë, duke pasur epërsi deri në gjashtë pikë, 46:52, por skuadra kuqezi barazon shifrat në 52:52, e më pas zhvillohet lojë e barabartë, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 59:59.

Dhjetë minutat e fundit ishin vendimtare dhe u zhvillua një lojë interesante. Trepça kishte epërsi 70:78, por Vëllaznimi afron shifrat në 76:78, megjithatë, ‘Minatorët’ nuk lëshojnë pe dhe triumfojnë me rezultat 76:80.

Te Vëllaznimi më i miri në parket ishte Cendric Council me 27 pikë e tetë kërcime, kurse te Trepça, Mojeed Ewuosho me 26 pikë e tetë kërcime.

Vëllaznimi ka një fitore dhe tri humbje, kurse Trepça dy fitore dhe dy humbje.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme