Kroos shpërthen ndaj idesë për Superligën Evropiane: Futbollistët nuk pyeten, jemi thjesht kukulla të FIFA-s dhe UEFA-s

20:43 | 11 Nëntor 2020
A. B.

Mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos ka hedhur poshtë idenë e Superligës Evropiane, ndërsa nuk ka hezituar ta të drejtojë kritika drejt shtëpive të futbollit, FIFA dhe UEFA.

Muajin e kaluar, presidenti në largim i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu konfirmoi se klubi ka pranuar një ftesë për të luajtur në një Superligë të re Evropiane dhe kjo ka bërë bujë të madhe.

Një raport i mëvonshëm në Diario AS gjithashtu pretendon se edhe klubet e tjera të mëdha spanjolle, Real Madridi dhe Atletico Madridi kishin pranuar të përfshihen.

Kjo ka bërë që mesfushori gjerman i Realit, Kroos të reagojë me zemërim, pasi sipas tij nuk po pyeten fare futbollistët.

“Fatkeqësisht, ne nuk vendosim si lojtarë. Ne jemi thjesht kukulla të FIFA-s dhe UEFA-s”, ka thënë fillimisht Kroos për gazetën Marca.

“Nëse do të kishte një union të lojtarëve, ne nuk do të luanim një Ligë të Kombeve ose një Superkupë të Spanjës në Arabinë Saudite”.

“Këto gara përpiqen të thithin gjithçka financiarisht dhe gjithashtu të shtrydhin lojtarët fizikisht. Por, unë jam një adhurues i madh i lënies së gjërave siç janë kur po shkojnë mirë. Ligat tashmë janë jashtëzakonisht kërkuese së bashku me Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës etj”.

“Nga pikëpamja sportive, sigurisht që do të ishte interesante sepse do të kishte vetëm ndeshje të nivelit të lartë. Por, hendeku midis klubeve të mëdha dhe të vogla do të zgjerohet edhe më shumë”, përfundoi mesfushori gjerman. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme