Bllokohet kryeqyteti i Mongolisë pas rastit të parë me koronavirus

14:53 | 11 Nëntor 2020
Arbresh.info

Në kryeqytetin e Mongolisë, Ulaanbaatar, është vendosur bllokim pasi rasti i parë i transmetuar në këtë vend i koronavirusit (COVID-19) u konfirmua sot, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kufizime të rrepta, përfshirë pezullimin e aktiviteteve akademike, do të vendosen në Ulaanbaatar në tre ditët e ardhshme, njoftoi agjencia shtetërore Montsame News.

Vendimi u mor pasi një grua u infektua nga burri i saj, një shofer kamioni i cili ishte në izolim në shtëpi pasi doli pozitiv në COVID-19.

Qeveria ka filluar të gjurmojë të gjitha kontaktet e njohura të çiftit, thuhet në raport.

Të gjitha institucionet arsimore, përfshirë kopshtet, shkollat, universitetet dhe qendrat e trajnimit, në kryeqytet janë mbyllur së bashku me objektet publike të tilla si teatrot, muzetë dhe kinematë.

Trafiku i automjeteve dhe hekurudhave drejt dhe nga Ulaanbaatari është i kufizuar në tre ditët e ardhshme.

Autoritetet vendosën të frenojnë lëvizjen ndërkufitare, veçanërisht me Rusinë, e cila është ndër vendet më të goditura në botë.

Pika kufitare Altanbulag me Rusinë do të mbyllet për dy muaj, duke filluar nga 16 nëntori deri më 18 janar të vitit 2021.

Mongolia ka regjistruar 382 raste me COVID-19 deri më tani, me shumicën e tyre duke qenë persona që udhëtuan jashtë shtetit.

Deri më tani nuk ka pasur fatalitet të lidhur me virusin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme