Google ADS

Ish-kryetari i SHISH-it: Aktakuzat për trafikim organesh janë absurde

21:03 | 10 Nëntor 2020
A. B.

Fatos Klosi, ish-kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror Shqiptar në periudhën e luftës së Kosovës, theksoi për gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania se nuk ka pasur “absolutisht asnjë dijeni” për të ashtuquajturën “Shtëpi të Verdhë” në Burrel, ku sipas raportit të deputetit zviceran Dick Marty kryheshin transplante organesh nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

I pyetur nëse kishte pasur dyshime apo kompetenca për të hetuar aktivitetin e UÇK-së në atë periudhë, Klosi tha se kishte pasur kompetenca por kurrë dyshime dhe “të gjitha problemet e dala tani janë absurde”.

“I kisha të gjitha kompetencat, por s’kisha asnjë lloj dyshimi… unë me ta [pjesëtarë të UÇK] kam qenë pothuajse çdo ditë, nuk i trajtoja si të dyshimtë, për mua ata ishin heronj. S’ka qenë ky problem fare në qendër të vëmendjes sonë që UÇK-ja të mund të bënte gjëra të tilla. I vetmi problem që kishim ishte se sa vetë do të vdisnin sot teksa do kalonin rrugëve të minuara për të çuar armët, jo për të sjellë këtu njerëz që… është absurde,” – u shpreh Klosi duke u zotuar se fliste në emër të ish-Shërbimit të tij informativ.

Duke folur për kohën e Luftës së Kosovës, Klosi tha se territoret e dyshuara u kontrolluan disa herë, mirëpo për vendet e supozuara si “Shtëpia e Verdhë” në Burrel apo “Hotel Drenica” në Durrës ai këmbënguli se “atyre u duhen disa emra” dhe “duhen sajuar nëse duhet mbrojtur një tezë si kjo që UÇK paska qenë kriminale”.

Njësoj si Klosi, edhe ish-ministri i Jashtëm i fillimviteve 2000, Kastriot Islami, tha se “nuk ka pasur dijeni” për këtë çështje deri në vitin 2011 kur u publikua raporti i Marty-it dhe më pas u miratua një rezolutë në Këshillin e Evropës që do të lejonte hetimet e pretendimeve të tij.

“S’marr përsipër të diskutoj asgjë që është përfshirë në raportin e Marty-it, sepse nuk kam qenë në dijeni. Rezoluta [e KiE-së] s’ka asnjë akuzë dhe nuk ka asnjë emër, ajo kërkon nga vendet që për disa dyshime të lejojnë vazhdimin e hetimeve dhe të ngrenë institucione për gjykimin e tyre

, ndërkohë ishte e ngritur gjykata e ish-Jugosllavisë për Kosovën dhe shqiptarët bashkë me SHBA, BE dhe vendet që kishin bombarduar Miloshevicin kishin qëndrimin që këto [akuza] janë të pavërteta, por ndërkohë thoshin që një gjykatë ndërkombëtare të nxjerrë të vërtetën në shesh, ishte një qëndrim që së vërtetës t’i shkohej deri në fund,” – u shpreh Kastriot Islami.

“Asnjë nga dyshimet e ngritura atje [në raportin e Dick Marty], nuk bën pjesë sot në akuzat ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ndaj nuk duhen bërë prezumime të tilla sepse publiku bën lidhje të shkurtër se edhe Thaçi dhe të tjerët kanë lidhje me trafiku ne organeve, por s’ka lidhje me atë raport, duhet hequr kjo pjesë,” – kujtoi me bindje Islami duke këmbëngulur për veprim të gabuar ridiskutimin për këtë pjesë.

Islami sugjeroi që t’i lejohej avokatëve të palëve të akuzuara që të bëjnë punën e tyre ndërsa nga ana tjetër politika dhe shoqëria shqiptare të koordinohen në mbështetjen ndaj tyre dhe të mos bëjnë luftë politike për përfitime të caktuara që mund ta dëmtojnë edhe më shumë çështjen e luftës çlirimtare të Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme