Hoti: S’ka vota për presidentin, duhet marrëveshje ose zgjedhje të reja

18:06 | 10 Nëntor 2020
L G

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se nuk do të ketë vota për postin e presidentit të vendit pa marrëveshje apo zgjedhje.

Ai, në një intervistë për REL, ka thënë dorëheqja e presidentit të deritashëm, Hashim Thaçi, e ka sjell vendin në një situatë të re politike.

Sipas tij, partitë politike duhet të ulen bashkë të bisedojnë për të arritur një konsensus të nevojshëm për të tejkaluar këtë situatë.

Radio Evropa e Lirë: Meqenëse po flasim për procese të rëndësishme që ju keni nevojë për mbështetje, a e shihni të nevojshme që koalicioni aktual të zgjerohet për të çuar përpara këto procese?

Avdullah Hoti: Tash jemi para një situate të re, ku presidenti (v.j. Hashim Thaçi) ka dhënë dorëheqje. Besoj që është periudhë e ndjeshme, pasi ai sapo ka dhënë dorëheqje. Tash kanë filluar proceset në Dhomat e Specializuara, prandaj në një moment të duhur kohor, do të ulemi dhe do të shohim nëse do të mund të arrijmë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar këtë situatë. Në aspektin kushtetues është më se e qartë. Tani, partitë politike duhet të ulen bashkë për të gjetur zgjidhje për presidentin e vendit, ose për t’u dakorduar për zgjedhje të reja. Është e qartë se me votat që i ka ky koalicion qeverisës, nuk mund ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, prandaj duhet një marrëveshje përtej këtij koalicioni qeverisës. Se si do të duket kjo marrëveshje, është shumë herët të flitet sepse nuk jemi ende duke diskutuar.

Radio Evropa e Lirë: Sot ishit pjesë e samitit për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit dhe si konkluzë doli që megjithatë jeni pajtuar bashkë më liderët e shteteve tjera, që të krijohet një treg i përbashkët rajonal. Çfarë janë avantazhet e Kosovës në këtë treg të përbashkët?

Avdullah Hoti: Në njëfarë mënyrë ne kemi pasur një treg rajonal, përmes CEFTA-s rajoni ka funksionuar si një treg në shumë aspekte, kemi pasur shumë barriera dhe kemi ende shumë barrierë, që janë kryesisht të natyrës jotarifore dhe që vijnë për shkak të problemeve politike që kemi në këtë rast në mes vendeve Kosovës dhe Serbisë, por edhe Kosovës me Bosnjë e Hercegovinën.

Unë besoj se deklarata që kemi nënshkruar dhe zotimet që kemi marrë sot, mundësojnë që të tejkalojmë shumicën e barrierave dhe të integrohen ekonomikisht vendet në rajon. Kjo është përfituese për të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën, sepse është ndryshe kur ke qasje në një treg që ka shumë më tepër konsumatorë për të funksionuar dhe shitur produktet. Por, mbi të gjitha ndikon shumë në tërheqjen e investimeve, në rritjen e konkurrencës dhe përgatitjen e këtij tregu për integrim në BE. Ajo që për ne është shumë e rëndësishme, është se ky treg nuk e zëvendëson tregun e përbashkët me BE-në, por e rrit integrimin ekonomik në mes vendeve.

Unë sot i kam dhënë edhe vërejtjet tona, si qeveri, si Kosovë, për këtë proces sepse kemi një situatë që është e pabarabartë në mes vendeve të rajonit, në kuptimin se disa nga vendet e rajonit, përveç se po bëhemi bashkë dhe kemi aranzhime të caktuara tregtare me vendet e BE-së, disa vende të rajonit, siç është Serbia, ka marrëveshje tregtie me vendet e lindjes, me Kinën, Rusinë dhe vende tjera. Përmes atyre marrëveshjeve, ato vende depërtojnë në tregun e rajonit. Dhe më vjen mirë që janë marrë parasysh nga Bashkimi Evropian si vërejtje që vijnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Por, marrë parasysh unë kam pritje mjaft pozitive sepse është bërë një hap mjaft i madh drejt unifikimit të tregjeve, rritjes së konkurrencës, e kështu më radhë.

Të ngjashme