Me golin ndaj Real Betisit, Pedri bëhet golashënuesi i katërt më i ri në historinë e Barcelonës në La Liga

13:38 | 8 Nëntor 2020
L G

Mesfushori i talentuar spanjoll, Pedri vazhdon të shkëlqejë në këtë fillim sezoni për Barcelonën, ndërsa arriti golin në fitoren ndaj Real Betis .

Barcelona triumfoi pa shumë vështirësi në Camp Nou ndaj Real Betisit në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë në La Liga.

Golat e ndeshjes u shënuan nga Ousmane Dembele (22’), Antoine Griezmann (49’), Lionel Messi (61’, 82’) dhe Pedri (90’) për Barcën, ndërsa për Betisin shënuan Antonio Sanabria (45+) dhe Loren (73’).

Me golin e tij në këtë fitore, Pedri u bë golashënuesi i katërt më i ri në historinë e Barcelonës në La Liga, në një moshë 17 vjeç dhe 348 ditë.

Ai u bë vetëm lojtari i katërt që shënoi përpara se të festonte 18 vjetorin e lindjes, pas Ansu Fati, Bojan Krkic dhe Lionel Messi.

Sezonin e kaluar, Fati theu rekordin ndërsa shënoi pas vetëm shtatë minutash në fushë kundër Osasuna, duke regjistruar një gol në moshën 16 vjeç dhe 304 ditë, duke mundur Bojan me 17 vjet e 53 ditë dhe Messin 17 vjet e 311 ditë.

Ronald Koeman i dha Pedrit ndeshjen e tij të pestë të sezonit si titullar dhe ai përfundoi 90 minuta të plota për herë të dytë në këtë sezon, duke përfituar nga shansi që i ishte dhënë nga trajneri holandez. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme