Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane është shprehur e kënaqur që kandidati demokrat Joe Biden ka fituar zgjedhjet presidenciale, për t’u bërë presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një komunikatë për media, lobi shqiptar në Amerikë është shprehur i bindur se presidenti i ri i SHBA-së do të punojë për të zgjidhur problemet shqiptaro-serbe.
Kjo organizatë ka thënë se shqiptaro-amerikanët luajtën rol kryesor në tri shtete zgjedhore, ato më të rëndësishmet, që edhe i sollën triumfin e madh Bidenit.
“Në tri shtete fushëbeteje zgjedhore—Miçigan, Pensilvani, dhe Uiskonsin—shqiptaro-amerikanët luajtën një rol kryesor në zgjedhjen e Joe Biden. Nga koha kur Biden i hyri garës për president në Prill 2019, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane luajti një rol të veçantë në rikujtimin për shqiptaro-amerikanët se cilat ishin përpjekjet e vazhdueshme të Joe Biden për të sjellë Sllobodan Millosheviqin në Tribunalin për Krime të Luftës në Hagë, për të sjellë pavarësinë e Kosovës, dhe për të përkrahur lirinë për të gjithë shqiptarët në Evropën Juglindore”, ka thënë Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
LQSHA-ja kishte lansuar një platformë përkrahëse për Bidenin në pranverën e vitit 2019. Madje kryetari i saj, Joe DioGuardi iu bashkua grupit të ish-Kongresistëve republikanë në përkrahje të Bidenit.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, ne ua kemi rikujtuar shqiptaro-amerikanëve që Liga Qytetare ka punuar ngushtë me Joe Biden për të ndaluar luftën e Millosheviqit në Bosnjë e Kroaci më 1991, si dhe për t’iu përgjigjur ofansivës serbe të verës 1998 kundër Kosovës duke siguruar përkrahje ndërkombëtare për bombardimin e Serbisë nga SHBA/NATO më 1999. Liga Qytetare vazhdoi të përkrahë Joe Biden në pozitën e tij në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit deri sa ai u bë Zëvendës President i Barack Obamas në vitin 2006”, ka vazhduar më tej LQSHA-ja.
Shqiptaro-amerikanët kanë thënë se raportet e tyre me Bidenin s’kanë të bëjnë me përkatësinë partiake.
“Puna jonë me Joe Biden është rezultat i faktit që ai u gjend pranë popullit shqiptar kudo dhe kurdo që ne kishim nevojë për të. Ai luajti një rol të dukshëm dhe impresiv në arritjen e pavarësisë së Kosovës, dhe ne jemi konfidentë që ai, si President, do të rindërtojë marrëdhëniet e afërta të SHBA-ve me BE-në dhe NATO-në, dhe do të sjellë integrimin euroatlantik të Kosovës. Së fundi, ne jemi konfidentë se Presidenti Joe Biden do të punojë për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb”, përfundon komunikata e LQSHA-së.
Fillojnë punimet për modernizimin dhe përmirësimin e sistemi...
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu miraton “në ...
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...
PS propozon datën 11 maj për zgjedhjet parlamentare
Real Madridi merr një goditje të rëndë, konfirmohet lëndimi ...
Sara: Dua të heq anash çdo emocion