Google ADS

Çavuşoğlu: Marrëdhëniet Turqi-SHBA janë mbi partitë dhe politikën

16:05 | 6 Nëntor 2020
Arbresh.info

Ministri i Punëve të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu duke komentuar zgjedhjet presidenciale në SHBA tha se marrëdhëniet e Turqisë me Uashingtonin janë mbi partitë dhe politikën, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu mbajti një konferencë për media si pjesë e një takimi jozyrtar të ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Ai po ashtu iu referua situatës aktuale në lidhje me zgjedhjet presidenciale në SHBA. Çavuşoğlu theksoi se më herët ka pasur ngjarje që ngritën tensione dhe ndarje të komunitetit.

“Sigurisht se jemi të shqetësuar për këtë. Nuk duam asnjë vend të ndahet kështu apo që ndarjet brenda komunitetit të jenë kaq të mëdha, por natyrisht që është çështje e brendshme dhe nuk do të komentoja më tej. Po them dëshirën time”, tha Çavuşoğlu.

Ai rikujtoi se kanë mbetur shumë pak shtete federale në të cilat votat duhet të numërohen.

“Shpresojmë që procesi i numërimit të mbahet në një mënyrë demokratike dhe transparente. Palët kanë kundërshtime. Le të shohim se si do të zgjidhet. Ne, si të gjithë të tjerët, përfshirë politikanët amerikanë, duhet të respektojmë vendimin e popullit amerikan. Turqia, jo vetëm gjatë qeverisjes tonë, jo vetëm gjatë qeverisjes së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim dhe Recep Tayyip Erdoğan-it, edhe në të kaluarën ka bashkëpunuar me administrata të ndryshme. Kemi bashkëpunuar me demokratët dhe republikanët dhe shohim se marrëdhëniet tona janë mbi partitë ose politikën”, tha Çavuşoğlu.

Ai shtoi se ka pasur ngritje dhe zbritje në marrëdhëniet dypalëshe, kur bëhet fjalë për republikanët dhe demokratët.

“Prandaj, kushdo që zgjidhet, Turqia do t’i qaset administratës së re të SHBA-ve në të njëjtën mënyrë, në mënyrën si iu qaset vendeve të tjera”, tha Çavuşoğlu.

Ai theksoi se këdo që zgjedh populli amerikan, Turqia do të tregojë qëndrim miqësor kur është fjala për zhvillimin e marrëdhënieve.

“Dëshirojmë edhe hapa miqësorë lidhur me mosmarrëveshjet ekzistuese. Ne gjithashtu presim që administrata amerikane të përgjigjet me këto hapa miqësorë”, tha Çavuşoğlu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme