Google ADS

Ministrja Dumoshi takoi kreun e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog

15:53 | 6 Nëntor 2020
V. S.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka takuar sot kreun e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Tomáš Szunyog, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin në projekte të përbashkëta të ministrisë me zyrën.

Ministrja Dumoshi e ka vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe ka thënë se ajo është një prej partnerëve më të rëndësishëm që ka Kosova në përgjithësi, e MKRS-ja në veçanti.

Ministrja e ka informuar përfaqësuesin special Szunyog për planet dhe programin e MKRS-së për vitin e ardhshëm dhe sfidat me të cilat është përballur ministria këtë vit për shkak të rrethanave të pandemisë.

Ministrja Dumoshi kërkoi nga kreu i Zyrës së BE-së që të mbështesin fushat që mbulon MKRS-ja në projekte konkrete të cilat janë në dobi të artistëve, të rinjve dhe profesionistëve të trashëgimisë në vendin tonë.

Nga ana e tij, Ambasadori Szunyog, u shpreh se i vjen mirë për progresin në Kosove ne fushën e kulturës dhe trashëgimisë, ku i është dhënë prioritet dialogut dhe mirëkuptimit kulturor në Kosovë, ku vlerësohet dhe çmohet diversiteti i cili e karakterizon Kosovën.

Kreu i Zyrës së BE-së në Kosovë, Szunyog, tha se zyra të cilën ai e përfaqëson do të bashkëpunojë për së afërmi me MKRS-në në projekte që janë të interesit të dyanshëm./arbresh.info/

Të ngjashme