Google ADS

Kryeministri austriak, dekoron me medalje të artë dy policët që eliminuan terroristin në Vjenë

10:31 | 6 Nëntor 2020
A. B.

Kryeministri i Austrisë, Sebastian Kurz, i ka dekoruar me Medaljen e Artë të Meritave dy policët që e eliminuan sulmuesin gjatë sulmit terrorist të së hënës në Vjenë.

“Me veprimet e tyre të guximshme dhe me përkushtim me jetën e tyre, këta dy zyrtarë policorë e eliminuan vrasësin gjatë sulmit të së hënës, duke e prandaluar më të keqen”, shkroi shefi i qeverisë austriake në Facebook.

Ai njoftoi se medaljet policëve ua ka ndarë dje (të enjten) dhe policët e dekoruar janë pjesëtarë të forcave speciale “WEGA”.

“Dje, i falënderova dy zyrtatët e WEGA-s për tërë forcat emergjente dhe i shpërbleva ata me Shenjën e Artë të Meritave të Republikës së Austrisë”, shkroi kryeministri Kurz.

Në fotografinë e publikuar në llogarinë e kryeministrit, dy policët e dekoruar janë me maska dhe nuk mund të identifikohen. As vetë kryeministri nuk i ka publikuar emrat e tyre, shkruan Gazeta Express.

Ndryshe, gjatë sulmit të tmerrshëm të së hënës në Vjenë, katër persona u vranë dhe 23 të tjerë u plagosën. Sulmuesi, me prejardhje shqiptare, me prindër nga Maqedonia Veriore, i identifikuar si Kujtim Fejzulai, 20 vjeç, u vra nga policia.

Ai kishte shtetësi austriake dhe maqedonase, ndërsa më parë ishte arrestuar pasi ishte përpjekur të merrte pjesë në luftën në Siri si pjesë e ISIS-it.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme