Akuzat ndaj Thaçit, Presidenti Meta: Janë me prapavijë politike të sponsorizuara nga Serbia

23:53 | 5 Nëntor 2020
Arbresh.info

Presidenti Ilir Meta i ka konsideruar politike akuzat e ngritura ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit për krimet e pretenduara të luftës.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Meta tha se akuzat janë të sponsorizuara nga Serbia.

Nuk kam patur një informacion zyrtar, por mendoj që një situatë e tillë ka qenë e pritshme, edhe pse nuk ka qenë e pashpresë. Por sipas procedurave, kjo është tepër e vështirë apo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Është një akuzë, është një dyshim dhe gjykata është ngritur dhe janë dhënë qindra milionë Euro për të shqyrtuar këto akuza me prapavijë politike të sponsorizuara nga Serbia. Ka furnizuar me shpifje siç ka ndodhur dhe herët e tjera”.

Sipas Metës, qëllimi nuk është për të njollosur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por për të dëmtuar shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“I gjithë qëllimi është për të dëmtuar jo vetëm luftën e Kosovës, por është përpjekje për të kontribuuar në zhbërjen e shtetit të Kosovës, është një revansh i Serbisë për të penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe njëkohësist me akte të tilla për të krijuar përçarje të brendshme siç është dhe situata aktuale që situata të tilla të shfrytëzoheshin për kriza, gjë që nuk ka për të ndodhur. Është një kosto. Ka qenë edhe një kompromis i SHBA, Britanisë së Madhe edhe aleatëve kryesorë të Kosovës. Është e qartë që në situatën aktuale kemi të bëjmë me akuza politike dhe me përpjekje për të njollosur UÇK. Ishte e vështirë të mendohej që Presidenti Thaçi të mbetej jashtë këtyre akuzave”.

Presidenti Ilir Meta tregoi se ditët e fundit është takuar me Hashim Thaçin dhe ka biseduar për këto akuza të ngritura nga Gjykata Speciale. Sipas tij, Thaçi ka qenë i qetë dhe i vendosur për t’i shkuar deri në fundit këtij gjykimi.

“Ne kemi biseduar, kemi qenë për një drekë të gjatë në shtëpinë time bashkë edhe me kolegë të tjerë. Ai ka qenë tepër i qetë për këto akuza. Kemi patur disa herë biseda telefonike. Ai ka qenë i ndërgjegjshëm dhe ka qenë mjaft dinjitoz që i duhet të marrë prapë një përgjegjësi. Sjellja e tij ka qenë tepër e përgjegjshme. Jam i bindur që do të konfirmojë drejtësinë e luftës së Kosovës. Kjo është përpjekje e Serbisë për t’u fshehur pas gjykatës për të penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme