Google ADS

AAK-ja nis mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për nesër

18:35 | 5 Nëntor 2020
M. A.

Deputetja Time Kadrijaj ka thënë se AAK-ja është duke mbledhur nënshkrime dhe synon që nesër të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

Ajo thotë se janë shqetësuese veprimet e fundit nga Specialja, derisa ka krahasuar bastisjen në shtëpinë e Jakup Krasniqit me kohën e Millosheviqit.

“I kemi përcjellë me shqetësim situatën e krijuar dje dhe sot sepse spektakli që ka ndodhur ditën e djeshme në shtëpinë e ish-kryeparlamentarit na ka kthyer vite prapa në kohën e Millosheviqit kur janë bastisë shtëpitë e qytetarëve të Kosovës dhe që janë arrestuar shqiptarët për bindjen ndryshe nga regjimi ose që nuk e kanë pranuar shtetin e Serbisë. Dhe ato pamje nuk i bëjnë nderë askujt, as Kosovës e as Bashkësisë Ndërkombëtare, sepse me faktin se çdo ushtar i UÇK-së që ka pasur ftesë iu ka përgjigje vullnetarisht. Pra, nuk kemi pasur nevojë për spektakle të tilla”, ka thënë Kadrijaj.

Kadrijaj ka bërë të ditur se tashmë kanë nënshkrimet e GP të AAK-së.

“Kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme pikërisht për këtë temë që të debatohet gjerësisht për situatën e krijuar. I kemi nënshkrimet e komplet Grupit Parlamentar por për shkak të situatës më pak ka pas deputetë në Kuvend në mënyrë që t’i kemi afër dhe t’i mbledhin nënshkrimet. Në rastin më të parë do t’i mbledhim ato 40 nënshkrime që nevojiten për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka shtuar se synimi është që votohet edhe një rezolutë.

“Do të nxjerrim një rezolutë e cila do të votohet në Kuvendin e Kosovës. Do të dakordohemi me të gjitha Grupet Parlamentare. Është koha për një unitet mes të gjithë spektrit politik sepse jemi në një situatë të jashtëzakonshme dhe në këtë kohë duhet t’i lëmë inatet partiake anash. Nesër synojmë të mbajmë këtë seancë të jashtëzakonshme”, ka thënë Kadrijaj.

Tutje ajo ka përmendur se AAK-ja kërkon edhe ndaljen e dialogut.

“Kërkesë e AAK-së ka qenë që deri në një momentum tjetër të ndërpritet edhe dialogu me Serbinë, sepse në situatën e krijuar nuk kemi çfarë të bisedojmë. Dhe t’iu bëhet me dije edhe aleatëve tanë se kah po shkon Kosova. A e duan atë në NATO dhe me liberalizim të vizave apo ta stagnojnë siç e kanë bërë”, ka thënë Kadrijaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme